Detaje të reja janë zbardhur lidhur me shpërthimin me tritol të regjistruar rreth orës 04:15 në një market në rrugën “Ramazan Gaxheri”, në Tiranë. Mësohet se marketi është në pronësi të Lulzim Likës, baba i dy të rinjve të shpallur në kërkim që plagosjen e policit Anxhelo Kumaraku pak ditë më parë në Shkozë.
Ende nuk dihet nëse shpërthimi ka lidhje me plagosjen. 33-vjeçari, Aldo Lika dhe 22-vjeçari, Ali Lika më 17 maj kanë qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tyre në drejtim të 31-vjeçarit Kejdi Spaja, i cili ndodhej pranë banesës së tij së bashku me Kumarakun dhe një person tjetër.
Nga të shtënat është plagosur aksidentalisht në këmbë Kumaraku. Lidhur me ngjarjen, policia arrestoi Kejdi Spajën, pasi rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga gjykata për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjithashtu pezulloi menjëherë nga detyra efektivin Kumaraku. Ndaj tij, është nisur edhe një hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, pasi dyshohet se është shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë dhe nuk ka njoftuar strukturat policore për rastin.




