Tregu ushqimor në Durrës, thirrja e trishtë e të sëmurit në Gjirokastër.

Më shumë se 400 tregtarë shesin produkte ushqimore në tregun e futa-perimeve në qytetin e Durrësit. Ata kanë 15 vjet që paguajnë taksa, por kushtet e tregut janë skandaloze.

Pas interesimit të emisionit “Stop”, bashkia e qytetit bregdetar tha se po shihet mundësia e projekteve dhe fondeve të financimit për rehabilitimin e tregut.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua tregut të fruta – perimeve në Durrës, ku kushtet e shitjes së produkteve ushqimore janë të mjerueshme.

Një qytetare u shpreh: “Kushtet nuk janë higjenike. Bien gjëra përtokë, i ngrejnë e i vejnë lartë dhe ne i marrim i hamë. Patjetër që kemi frikë, por Zoti na ruajt. Gjithmonë shpresën te Zoti”.

Tregtarët ankohen se edhe pse paguajnë taksa në Bashkinë e Durrësit, nuk është investuar te tregu ushqimor, duke e lënë shumë të ndotur dhe pa çati.

“Kam vënë “kondicioner” për të marrë ajër të pastër, që sa herë të hapim gojën të thithim të gjithë pluhurin që kemi këtu sipër. Kur s’ka ujë në çezma, shkojmë dhe mbushim ujë nga fuçitë e tualetit për të lagur sallatën, karrotat dhe të gjitha gjërat”, tha një tregtar, i acaruar nga kushtet ku punon.

Kjo është një problematikë që prek si tregtarët ashtu edhe blerësit, pasi mungesa e kushteve higjeno-sanitare ndikon te produktet ushqimore.

*****

Një qytetar nga Gjirokastra, i cili është i sëmurë dhe jeton me oksigjen, denoncon gjendjen e tij të mjerë, pasi e kanë hequr edhe nga skema e ndihmës ekonomike.

“Trajtohem me një ndihmë ekonomike nga shteti. Mirepo, me këtë ligjin e ri që nxorri kryeministri tani, më hoqën nga lista, nga sistemi. Bëhem vet i dytë me gruan në shtëpi. Unë trajtohem me oksigjen, e kam kronike. Për punë nuk jam, gruan e kam pa punë.

Mezi e prisja ndihmën nga shteti, që t’i përgjigjem shtetit, duke paguar drita e ujë. Unë dua 30 mijë lekë në javë për oksigjen. 33 mijë lekë merrja ndihmën ekonomike nga shteti.

Ç’të bëj unë? Të numëroj orët e vdekjes me oksigjen? Tani na i hoqi fare. Nuk di ku të shkoj të qaj hallet se i kam të shumta. Tavani po më bie, nuk janë mur, por janë kallame. Ç’bie jashtë bie dhe brenda. Jetoj me plastmas në tavan”! 

Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentjan Zenelaj shprehen se qytetarit ia kanë hequr ndihmën ekonomike, pasi disponon televizor në shtëpi, çka konsiderohet “lluks”.

Të Fundit