Sektori i Krimit Ekonomik pranë Policisë së Tiranë ka arritur që të godasë disa argjendari të cilat shisnin produkte kontrabandë.
Sipas policisë, janë proceduar penalisht 7 persona të cilët i tregtonin sendet me vlerë në 7 dyqanet e tyre, pa fatura doganore dhe tatimore. Ata akuzohen për kontrabandë dhe fshehje e të ardhurave.
“Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tregtonin sende me vlerë (bizhuteri) të një marke të mbrojtur, të dyshuara të kontrabanduara, për të cilat nuk dispononin fatura doganore dhe tatimore, procedohen penalisht 7 shtetas.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, finalizuan operacionin policor të koduar “Second hand”.
Në kuadër të tij u proceduan penalisht shtetasit G. S., 36 vjeç, F. D., 27 vjeç, M. B., 44 vjeçe, I. B., 37 vjeçe, F. S., 29 vjeç, I. I., 33 vjeç, F. A., 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Këta shtetas tregtonin në 7 dyqanet e tyre, tregtonin sende me vlerë (bizhuteri) të një marke të mbrojtur, të dyshuara të kontrabanduara, për të cilat nuk dispononin fatura doganore dhe tatimore. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të sendeve me vlerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedural”, njofton zyrtarisht policia.