Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Kosovë. Rreth orës 16:30, policia ka marrë një njoftim se tre persona janë gjetur të pajetë në një shtëpi në fshatin Rufc të Lipjanit.
Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur të pajtë të tre personat.
Nga të dhënat e para dyshohet se kemi të bëjmë me një krim në familje, teksa burri dyshohet se ka vrarë fillimisht gruan e tij, më pas djalin dhe në fund ka vrarë edhe veten.
Policia bën të ditur se ka nisur hetimet zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
Në fshatin ku ka ndodhur ngjarja, në Rufc të Lipjanit ndodhet gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha e cila në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve ka dhënë më shumë detaje rreth krimit makabër.
Blerta Dalloshi Berisha: Dyshohet që një banor i komunës së Lipjanit ka vrarë fillimisht gruan dhe më pas djalin e tij dhe në fund ka vrarë edhe veten. Nuk dihen ende motivet që kanë çuar deri tek kjo vrasje e trefishtë. Policia ka bërë të ditur se ka marrë njoftimin rreth orës 16:30 dhe ka gjetur trupat e pajetë në këtë fshat. Ne jemi këtu në fshatin Rufc të Lipjanit. Jemi larg shtëpisë ku ka ndodhur gjithë ngjarja makabre. Mediat nuk po lejohen të shkojnë më larg për të filmuar. Ajo që kemi arritur të shohim se policia është ende në vendin e ngjarjes. Ende nuk ka asnjë pistë. Sapo i takuam disa familjarë të cilët ishin këtu dhe vetëm konfirmuan që ka edhe familjarë të tjerë autori. Familjarët dhe qytetarët që po kalojnë përreth nuk po japin informacione të tjera më të detajuara rreth kësaj ngjarje.