Gjatë vizitës së tij në Egjipt, Kryeministri Edi Rama pati një konferencë të përbashkët për mediat, me homologun egjiptian Moustafa Madbouly. Ndërsa foli për raportet e hershme të Egjiptit dhe shqiptarëve që kanë kontribuar, por dhe janë mbështetur atje, Rama ka premtuar gjithashtu vendosjen e linjës ajrore të drejtpërdrejtë Kairo-Tiranë.
“Shifrat e tregtisë janë modeste ndërkohë që kemi potencial. Marr me vete premtimin për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë Kairo-Tiranë. Nga pala jonë avionët nuk do të jenë kurrë bosh.
Do të ndihmojë shumë shqiptarë që duan të bëjnë pushimet këtu. Dua t’ju falenderoj dhe dua ta përmbyll me dëshirën që ajo cka është tipari më i çmuar i Egjiptit, kultura juaj do të jetë bazë për bashkëpunimin tonë në fushën kulturore. Besojmë që kemi çka t’ju tjegojmë juve. Por ju keni shumë gjëra për t’u treguar njerëzve tonë. Le të shohim nga e ardhmja. Ka pasur një arsye që historia na ka lidhur fort” -tha Rama.
Ndërkohë Kryeministri egjiptian u shpreh se së shpejti do të krijohet edhe një komision i përbashkët i tregtisë.
Gjatë vizitës në Egjipt, janë firmosur tre marrëveshje, kryesisht në karakterin e shkëmbimeve kulturore:
Memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e muzeve ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Këshilli i lartë i Antikiteteve i Republikës Arabe të Egjiptit
Program ekzekutiv mbi bashkëpunimin kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës Arabe të Egjiptit
Protokoll bashkëpunimi ndërmjet panairit të librit në Tiranë dhe Organizatës së përgjithshme të librit egjiptian.