Transparency International: Shqipëria nuk përparon në luftën kundër korrupsionit

Në Raportin e përvitshëm të publikuar sot, Organizata Transparency International konstaton se pjesa më e madhe e botës vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit.

Indeksi rendit 180 shtete dhe territore sipas perceptimit të nivelit të korrupsionit në sektorin publik, sipas mendimit të ekspertëve dhe njerëzve të biznesit.

Shqipëria ka përparuar me 1 pikë, me 36 nga 35 pikë vitin e kaluar. Ajo renditet në vendin e 101, nga 183 shtete por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, thotë se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë si shenjë mospërparimi”.

“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë, Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.

Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë. Përmirësim me 1 pikë shënon dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë.

Të Fundit