Tiranë/Rruga pranë ambasadës së Ukrainës dhe asaj Ruse do quhet “Ukraina e Lirë”

“Ukraina e Lirë” do të quhet një nga rrugët pranë ambasadës së Ukrainës, ambasadës Ruse dhe asaj Serbe. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj teksa së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, ndihmuan në ngarkimin e kamionit të parë me ndihmat e mbledhura nga qytetarët e Tiranës për qytetarët e Ukrainës.

Erion Veliaj:Ne vërtet nuk mund të çojmë armë, por mund të çojmë ushqime dhe një mesazh. E një nga mesazhet që duam të çojmë, përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës të hënën, është vendimi për të emërtuar një segment në bllokun e selive të ambasadave, që ndodhet pranë ambasadës së Ukrainës, me emrin Rruga “Ukraina e Lirë”. Ky është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Qëllon që në atë rrugë ndodhet edhe Ambasada e Rusisë – do të duhet që, ata, dhe të gjithë të tjerët aty, ta ndërrojnë adresën në kartëvizita me rrugën “Ukraina e Lirë”. Është një mënyrë për të treguar se ne nuk mund të rrimë duarkryq.

Veliaj  reagoi edhe për protestën e zhvilluar te premten në Beograd.

Erion Veliaj:Ajo që ndodhi dje në Serbi është e turpshme. Nuk është aspak dinjitoze që një vend në Ballkan të protestojë dhe të mbështesë ndërhyrjen ruse në Ukrainë. Jemi ndjerë vërtet të fyer nga fakti se ka ende sot vende që kanë avancuar drejt BE-së më shumë se sa ne dhe në një moment kritik, ku duhet të tregojë vlerat europiane, proteston në solidaritet me Rusinë, që është shtypësi, pushtuesi, armiku, kundërshtari i lirisë.

Ambasadori Shkurov falenderoi bashkinë për ndihmën në shumëfishimin e ndihmave, por njëkohesisht dhe për gjestin e mikpritjes që Shqipëria po dëshmon me Ukrainën.

Volodymyr Shkurov:Ne kemi shumë oferta që na kanë ardhur kohët e fundit. Janë mbi 1000 oferta për refugjatët që do të vijnë nga Ukraina. Për këtë doja të falënderoja popullin shqiptar.

Nga ana tjetër, Veliaj dhe ambasadori Shkurov shprehën mirënjohjen për solidaritetin e qytetarëve dhe bizneseve, të cilat iu bashkuan thirrjes për ndihma për të prekurit nga lufta në tendat e ngritura nga Bashkia dhe ambasada e Ukrainës./Tv Klan

Të Fundit