Tirana “pushtohet” nga turistët e huaj

Rrugët e mbushura nga mëngjesi në mbrëmje”

Kështu zgjohet Tirana. Që me nisjen e sezonit veror për ne është berë e zakonshme të shohim kudo grupe të mëdha turistësh që presin të nisin turin e tyre nëpër qytet.

Ky grup i madh, u nda për të ndjekur udhërrëfyesin e tyre, që i tregojnë për monumente e fakte të rëndësishme identitare në gjuhën spanjolle, italiane, angleze e frënge. Por nuk mungojnë edhe disa fjalë shqip.

E kështu grupi niset për t’u njohur me Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ku më mirë se në statujën monumentale në qendër, duke dëgjuar të dhëna historike për të.

“Tirana është një qytet intrigues për turistët pasi këtu ka një miksim kulturash. Kemi gjurmë të pushtetit ottoman, italian dhe nga diktatura. E këtu bazohet edhe turi i turistëve që shkojnë për të zbuluar nëpërmjet monumneteve etapat nëpër të cilat ka kaluar kryeqyteti.”

Radhën e ka Xhamia E’them Beut, e ndërtuar në vitin 1821. Ka nga ata që zgjedhin të hyjnë për të parë muralet e veçanta të këtij institucioni që është edhe monument kulture. Karshi saj Kulla e Sahatit po ashtu tërheq vëmendjen e tyre.

Turi vazhdon në të tjera godina, e monumente kulture, që cilido që vjen për herë të parë të marrë një shije të plotë të kryeqytetit. Por ka nga ata që janë impresionuar nga e vjetra dhe e reja që gjejnë në këtë qytet.

“Kam ardhur këtu përpara 3 javësh. Në Shqipëri kam qenë eedhe më parë se këtej e kam origjinën, por në Tiranë jo. më pëlqen shumë, më ka mbetur për të parë edhe Shtëpinë e Gjetheve”.

“Do të qëndroj 4 ditë në Tiranë. Më duket interesante këtu sidomos miksimi i modernes me të vjetrën. Ka shumë për të parë. Më pëlqen të eksploroj edhe vendet ku gatuhet ushqimi tradicional”.

Por qyteti nuk rri kurrë bosh, për të kulmuar sërish në mbrëmje ku sheshet dhe rrugët mbushet plot me të huaj, që kësaj here janë në kërkim të vendeve të mira për të ngrënë ose për të pirë.

Shumë prej tyre Shqipërinë e kanë zbuluar nga rrjetet sociale dhe na tregojnë se çfarë i impresionon këtu.

“Kemi ardhur sot në Tiranë dhe bëmë një tur nëpër qytet. Tani po kërkojmë një vend të mirë për të darkuar. Më pëlqen këtu, kam parë edhe vendet në jug dhe është shumë bukur”.

“Shoku im është me origjinë nga Shqipëria dhe zgjodhëm vetë të vinim këtu. Kemi ngelur shumë të kënaqur dhe kemi shumë respekt për këtë popull”.

Tirana është qyteti që turistët që vijnë nga aeroporti e kanë destinacion të parë, e nuk largohen pa i kaluar dy ditë në kryeqendrën e Shqipërisë, ndonëse si Tirana edhe qytetet e tjera njohin rritje të numrit të turistëve.

Të Fundit