Policia Rrugore e Durrësit ka goditur dy raste të tjera të tentativës për mitdhënie, gjatë kontrolleve intensive për respektimin e Kodit Rrugor dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Në një nga rastet, një 24-vjeçar u arrestua në flagrancë pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë për të shmangur testin e alkoolit, ndërkohë që po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, një 36-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi tentoi të shmangte një masë administrative për shkelje rrugore, duke u përpjekur të korruptonte punonjësit e Policisë me një shumë parash.
“Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, në kuadër të monitorimeve intensive për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kanë goditur 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e ndëshkimit penal dhe administrativ për shkeljet e kryera.
Për këto raste:
U arrestua shtetasi A. Ç., 24 vjeç, banues në Luz i Vogël, Kavajë, pasi në momentin që është ndaluar nga punonjësit e Policisë Rrugore në shërbim, iu ka ofuar atyre 50 euro, pasi po drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.
U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi për të shmangur masën administrative për shkeljen e kryer gjatë drejtimit të automjetit, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar 2 000 lekë të rinj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.