Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia Rrugore në Durrës, pasi tentoi të korruptonte një punonjës policie pasi ishte ndaluar për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 13 të qytetit, ku i riu, shtetasi K. G., u ndalua nga Policia Rrugore teksa drejtonte një motomjet pa leje drejtimi. Në përpjekje për të shmangur ndëshkimin ligjor, ai ka tentuar t’i ofrojë para efektivit të policisë, por është arrestuar menjëherë.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore që e konstatoi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.
Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrës kanë ndaluar në lagjen nr. 13, Durrës, drejtuesin e një motomjeti. Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësve të Policisë, për të shmangur ndëshkimin ligjor, pasi nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Në vijim të veprimeve, drejtuesi i motomjetit, shtetasi K. G., 20 vjeç, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.