“Të lirohen policët”- Rama: Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie me Serbinë këto kohë

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të premte se Shqipëria dhe Serbia nuk kanë asnjë marrëdhënie aktualisht, përveç marrëdhënies për lirimin e tre policëve të marrë peng nga Beogradi.

Shefi i qeverisë në Tiranë theksoi se komunikimi i vetëm me Beogradin do të jetë lirimi i tre policëve të cilët mbahen peng.

“Nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetër me Serbinë këto kohë, marrëdhënia e vetme është lirimi i atyre tre policëve. Asnjë lloj përfitimi nuk ka në aspektin cinik, duke mbajtur në burg tre policië të shtetit tjetër me justifikimin që shkelën kufirin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se mënyra e veprimit të Serbisë nuk është aspak demokratike, duke marrë peng tre policë të një shteti tjetër me argumentin që kaluan kufirin.

“Pozicioni ynë me Serbinë ka pasur si qëllim që me sa kemi peshë të ndikojmë që çdo kërcitje armësh të mbahet larg nga Ballkani. Ju siguroj se të njëjtin qëndrim do të mbaja dhe për 3 policë serbë të cilët hipotetikisht do të mbaheshin peng nga forcat e Kosovës.

Kjo ndikon në marrëdhëniet tona, dhe Serbia duhet të angazhohet në marrëdhëniet me ne. Janë 3 njerëz që mbahen peng atje nga një shtet dhe mbulohet kjo me “jo u arrestuan”. Edhe sikur të jenë të vërteta ato që thuhen për forcat e policisë së Kosovës, një shtet demokratik nuk funksionon kështu. Një shtet tjetër respekton të drejtat e njerëzve. Pretendimet që Serbia ka për arrestimet e serbëve në Kosovë, Serbia ka ku t’i adresojë, kjo është rruga demokratike. Ka institucione dhe jo të marrrë peng tre policë”, tha Rama.

Të Fundit