Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme për protestën e zhvilluar nga mjekët në Spitalin e Traumës.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama iu përgjigj deklaratës së një prej mjekëve, i cili propozoi që ‘bakshishi’ për mjekët të lihej në recepsionin e spitalit.
“Sot shëndetësia është në pararojë të procesit të transformimit. Reforma në shëndetësi është në një kantier të madh. Synimi për autonominë spitalore, si instrument për të rritur kapacitetin në të gjitha aspektet është në një proces të avancuar ashtu sikundër është në proces të avancuar synimi për një hapsirë komunikimi mes bluzave të bardha e pacientëve e familjarëve të tyre.
Më bëri përshtypje një tubim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Mbrësëlënëse për nga niveli i kurajos dhe paturpërsia e propozimit. Patjetër që ne shpërblimin e mjekëve do e rrisim, është një zotim i planifikuar që do të mbahet që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%.
Me autonominë spitalore ne kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit të mjekut. Mjekët të paguhen sipas mundit dhe volumit të shërbimit. Ky është thelbi në raport me atë që autonomia spitalore sjell në burimet financiare të mjekëve.
Të thuhet të legalizohet ryshfeti, është një masazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që lëvizja në sistemin shëndetësor të shtrihet shumë më thellë. S’mund të ketë në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e pacientëve.
Ndarja mes shumicës që e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfimuar faktet që lidhen me sa shumë ndërveprime kryhen në funksion të pacientëve duke vënë në shërbim të tyre dijen e mundin bën nga ana tjetër që të jetë e domosdoshme që mjekë e infermierë trondisin opinionin publik kur shfaqen si gjakpirës, të ndiqen e përndiqen deri në fund nga forca e ligjit.” u shpreh Rama