“Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë,” Basha: Niseni me mua dhe familjen time

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte këtë të diel në takimin me të rinjtë në Kamzë. Edhe këtë herë ai nuk “u kursye” me akuzat ndaj Berishës, Metës dhe Ramës duke thënë se ata duan monopol që Shqipëria të vazhdojë të mbesë në duart e tyre, ashtu siç ka qenë këto 30 vite.

Më tej ai tha se “këtyre të treve u djeg vettingu politik”, ndërsa i ftoi të gjithë që të hapnin letrat e të tregonin pasuritë e madje tha se ishte i gatshëm të ishte ai dhe familjarët e tij të parët që do hetohen.

“Këta duan monopol mbi politikën, median, ekonominë dhe duan që Shqipëria të mbetet i atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, tani duhet t’i japim zë shumicës së shqiptarëve. Ky është angazhimi im dhe për këtë kam dalë të flas me qytetarët, për listat e hapura sepse vendosni ju, vettingu politik u djeg sepse duan të shajnë pa shkuar më tej, pa hapur letra.

Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani, le ta fillojnë me mua dhe jo me ata të tre. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe të atyre dhe të shohim a i justifikojnë apo jo. Ky është Vettingu i politikanëve. Këtë se duan sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon , apo futet dikush tjetër që nuk ndan agjendën e tyre. Unë e përsëris: A janë për vettingun politik, listat e hapura , për kufizimin e mandatit të kryeministrit, po apo jo? Sa për avazin e vjetër, po mundohet të heqë vëmendjen nga përgjegjësia për humbjen e 14 majit me sulmet ndaj meje,”-tha Lulzim Basha.

Të Fundit