Denoncimi në “Stop” çoi në hetime, Prokuroria dërgon për gjykim pronarin e kompanisë “Nika” dhe administratoren

Një denoncim i bërë në emisionin investigativ “Stop” më 12 shkurt 2026, për falsifikimin e dokumenteve dhe përvetësimin e 50% të aksioneve të një biznesi në Sarandë, ka marrë një zhvillim të ri. Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim administratoren A.N. dhe pronarin Ll.N. të kompanisë “Nika” sh.p.k., të dyshuar për fshehje të të ardhurave dhe falsifikim dokumentesh.

Për të dy personat është caktuar masa e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Në shkurt të këtij viti, emisioni “Stop” solli historinë e Pandeli Nikës nga Saranda, i cili akuzonte vëllain e tij, Llambi Nika, se i kishte përvetësuar pjesën prej 50% të aksioneve në biznesin që kishin krijuar së bashku në vitin 1998, në fushën e tregtimit të produkteve elektrike.

Sipas denoncimit, dy vëllezërit kishin bashkëpunuar për më shumë se dy dekada, deri në momentin kur Pandeli Nika u shkëput për disa muaj nga aktiviteti për arsye shëndetësore të bashkëshortes. Kur u rikthye, ai pretendonte se kishte gjetur vendimet e asamblesë të falsifikuara dhe biznesin të kaluar në një subjekt tjetër, në emër të bashkëshortes së të vëllait.

Pandeli Nika kishte kërkuar disa herë drejtësi në Prokurorinë e Sarandës, por pretendonte se kallëzimet e tij nuk ishin marrë në shqyrtim si çështje penale.

Pas verifikimeve të kryera nga “Stop”, përfshirë edhe sigurimin e një akt-ekspertimi që konstatonte falsifikimin e firmës së Pandeli Nikës në vendimet e asamblesë, çështja u referua në Prokurorinë e Tiranës.

Prokurori Bledar Valikaj regjistroi procedimin penal dhe nisi hetimet. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata autorizoi kontrollin në subjektin “Nika”, i cili zgjati tre ditë dhe u zhvillua në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik dhe Hetimit Doganor.

Gjatë kontrollit u evidentuan mallra kontrabandë, dyshime për evazion fiskal, si dhe dy servera që dyshohej se përdoreshin për të shmangur deklarimin e të ardhurave reale.

Ndërkohë, hetimet përfshinë edhe një subjekt tjetër, të regjistruar në emër të bashkëshortes së Llambi Nikës, për të verifikuar nëse administrimi faktik i tij kryhej nga ky i fundit.

Tashmë, çështja ka shënuar një tjetër zhvillim: Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim administratoren A.N. dhe pronarin Ll.N., të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave.

Kështu, denoncimi që u bë publik në emisionin “Stop” më 12 shkurt 2026, ka marrë një zhvillim të ri në organet e drejtësisë, ndërsa pretendimet për falsifikimin e dokumenteve dhe përvetësimin e aksioneve do të shqyrtohen tashmë nga gjykata.

Të Fundit