Kreu i grupit parlamentar të PS, Taluant Balla, është shprehur se do të respektojnë çfarëdolloj vendimi të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin apo jo të Presidentit Ilir Meta.
“Ajo që do të jetë e qartë dhe ka qenë e qartë që prej ditës së parë, që PS nuk ekziston një rast të ketë vendos në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Partia Socialiste e Shqipërisë do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi do të jetë në dobi të cilësisë së demokracisë në këtë vend. Nëse vërtetohet se presidenti ka shkelur kushtetutën duhet të shkarkohet, ndërsa nëse Kushtetuesja do të vendosë ndryshe ne do e pranojmë vendimin”, tha Balla.
Balla tha se skandali i publikimit të pagave ishte një akt i rëndë kriminal. Sipas tij, ndërhyrja në kohë aq të shpejtë të Prokurorisë dhe Policisë duhet përshëndetur.
“Ajo që duhet përshëndetur është shpejtësia që Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë lëvizur për të identifikuar këtë aktivitet të rëndë kriminal. Ky ka qenë akt i rëndë kriminal që duhet të marrë ndëshkim. Para 60 sekondave, po thoja që PS nuk komenton vendimet e gjykatave. Natyrshëm që një gjë është e sigurt. Në rast se para 10 viteve prisheshin severat e kryeministrisë përmes së cilëve mund të zbuloheshin autorët e vrasësit të 21 janarit. Pas ca ditësh bëhen 11 vite nga 21 janari, ku Berisha ishte kryeministër dhe urdhëronte të qëllohej mbi popullin opozitar për një protestë për nivelin e demokracisë në vend. Në prokurorinë e Tiranës, për Aleks Nikën na thuhet që hetimet vijojnë, por s’ka zhvillim. Prokuroria me shpejtësinë e çliruar nga hetimi, të çojë në fund hetimin për shumë çështjeve. Unë kam çuar në prokurori shumë kallëzime. Ajo që është e rëndësishme është që Reforma në Drejtësi vendosi që në Kuvend të mos zgjidhen më gjyqtarë, ato zgjidhen në sisteme të pavarura. Ajo që kishim në sistemin e vjetër që Presidenti emërtonte gjyqtarë dhe prokurorë, ka përfunduar”, tha Balla.
I pyetur se përse e krahason gjithmonë qeverisjen e aktuale të PS me atë të mëparshmen të drejtuar nga
ish-kryeministri Sali Berisha, Balla u përgjigj:
“E bardha me të zezën nuk krahasohet kot. Sali Berisha ka mbyllur hesapet me këtë vend dhe kush e kishte harruar t’i referohet të shtunës së kaluar. Ne nuk krahasohemi kurrë. PS ka një avantazh dhe një problem që ka detyrën që të krahasohet vetëm me veten. Kur fola për buxhetin e shtetit, thashë që kemi gjetur një buxhet me 3.ca mld dollarë, e kemi çuar në 6.ca mld dollarë”.