Tatimet: Bizneset që nuk deklarojnë pagat e plota, do vihen nën hetim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lajmëron punëdhënësit që paguajnë rroga në dorë, se do të kallëzohen penalisht. Pas letrave sensibilizuese, tashmë aksioni ka kaluar në një fazë të re ndëshkimi për pagat e padeklaruara.

Një pjesë e punonjësve në vend vazhdojnë të paguhen në dorë, duke bërë që paga reale e tyre të jetë më e ulët në sistemin tatimor. Për të luftuar këtë fenomen qeveria ka këshilluar punëdhënësit të bëjnë deklarimin e plotë të pagave. Me letra këshilluese dhe me fushata sensibilizimi një pjesë e tyre janë përgjigjur pozitivisht, por shumë të tjerë vazhdojnë të nëndeklarojnë pagat.

Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve deklaron se aksioni do të kalojë në një fazë të re, për të vënë në hetim të gjithë punëdhënësit që do të zbulohen në shkelje. Informaliteti në tregun e pagave bëhet nga kompanitë private, por Tatimet po investigojnë edhe në aparatin e shtetit.

Mosdeklarimi i plotë i pagave dëmton individin, pasi kontributet që ai derdh nuk janë të plota, për pasojë edhe pensioni që do të dalë në të ardhmen do të jetë i ulët. Po ashtu fshehja dëmton skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Kjo vepër penale mendohet se kryhet nga rreth 10 mijë biznese në vend, të cilëve Ministria e Financave para disa kohësh u ka dërguar letër për korrigjim të pagave.

Të Fundit