Sipas një urdhri të ri të talebanëve, të gjitha gratë në Afganistan duhet të jenë të mbuluara nga koka deri tek këmbët kur dalin në ambiente publike.
Ministria e Veseve dhe e Virtyteve, institucion i themeluar gjatë regjimit të talebanëve, deklaroi të shtunën se është e lejueshme vetëm shfaqja e pjesës së syve dhe rekomanduan veshjen e burkës si mënyrën më efikase për të respektuar urdhrin.
“Gratë që nuk veshin hixhabin së pari duhen identifikuar se kush janë, më pas duhen njoftuar kujdestarët e tyre, ndërsa dhe vetë gratë do të duhet të dënohen”, deklaroi zyrtari i ministrisë Shir Mohammad.
“Së dyti, kujdestarët e tyre duhet të paraqiten përpara departamenteve përkatëse për të dhënë sqarim. Së treti, kujdestarët do të burgosen për tri ditë. Së katërti, kujdestarët do të gjykohen dhe dënohen në bazë të rrethanave”.
“Ato gra që nuk janë shumë të moshuara, ose të në moshë të vogël, duhet të mbulojnë fytyrën, përveç pjesës së syve”, tha ai.
Në dekret thuhet gjithashtu se nëse një grua nuk ka ndonjë punë të rëndësishme për të bërë jashtë, atëherë është më mirë për të që të qëndrojë në shtëpi.
“Për ne, parimet dhe ideologjitë islamike janë më të rëndësishme sesa çdo gjë tjetër”, tha ministri.
Në 2001, një koalicion i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara rrëzoi talebanët nga pushteti pasi kishin ndihmuar në strehimin e Osama bin Ladenit, kreut të organizatës terroriste famëkeqe Al-Kaeda.
Ata u rikthyen në pushtet afro një dekadë më vonë, me tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.