Përplasi çiftin dhe fëmijën e tyre, 39-vjeçari i ndëshkuar 8 herë nga policia

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga 39-vjeçari Ajas Sulejmani, i cili ditën e sotme aksidentoi një çift bashkëshortësh dhe fëmijën e tyre tre muajsh.

Sipas policisë, “drejtuesi i automjetit me targa të huaja, Ajas Sulejmani, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit”.

Sulejmani është ndëshkuar disa herë me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.

“Po ky shtetas është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

39-vjeçari rezulton se në vitin 2014 ka qenë shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane për akuzën e trafikut të narkotikëve.

Ditën e sotme Sulejmani për përplasi çiftin bashkëshortëve dhe fëmijën e tyre të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes Sulejmani i la shtrirë në rrugë të plagosurit dhe u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar më pas në një spital privat.

Të Fundit