Lajmi, se kryeministri Rama do të votonte pro bashkimit Shqipëri-Kosovë, nëse një ditë do të mbahej një referendum, është publikuar edhe në mediat serbe.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se beson se Shqipëria do të bashkohet me Kosovën dhe se do ta votonte në referendum”,-shkruajnë mediat serbe.
“Nëse më pyesni hipotetikisht për një referendum paqësor për bashkimin kombëtar, unë do të shkel ligjin për fshehtësinë e votimit – e them hapur do votoja pro. Në rast se pyesni nëse do të ndodhë kjo apo jo, pasi po provokoni. Unë them do të ndodhë, kur nuk e di, por do të ndodhë një ditë”,-tha Rama në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan b92.
Rama theksoi se atyre që mund ta interpretojnë deklaratën e tij si “kërkesë” për krijimin e një Shqipërie të Madhe, duhet thënë se “fallxhorët nuk gjykohen”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procese të tilla historike nuk mund të vendosen dhe se nuk mund të përcaktohen data dhe rrugë.
“Më duket se ka më shumë sesa keqkuptim lidhur me bashkimin e shqiptarëve. Nuk është çështje e zgjedhjes sonë, është një qëllim kolektiv që na zgjedh neve, ne nuk mund të vendosim për procese të tilla historike dhe të përcaktojmë data dhe rrugë“-ka thënë Kurti.