Studentja shqiptare në Britani: Nuk jemi të gjithë kriminelë, por po trajtohemi të gjithë ashtu

Një studente shqiptare që studion për t’u bërë avokate në Manchester është shprehur se “shqiptarët nuk janë të gjithë kriminelë”.

Komentet e Marinela Bouzo-s, 27 vjeçe, erdhën pasi Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, tha se “kriminelët shqiptarë” ndihmuan emigrantët që të kalojnë kanalin anglez. Vitin e kaluar 12 mijë emigrantë shqiptarë arritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla, më shumë se nga çdo vend tjetër shkruan Manchester Evening News.

Qindra prej tyre vitet e fundit janë kthyer mbrapsht pas një marrëveshje me Shqipërinë. Por Marinela, e cila shkoni në Mbretërinë e Bashkuar në të 20-tat thotë se shumica e shqiptarëve janë punëtorë dhe kontribuojnë pozitivisht në shoqëri.

“Edhe nëse thuhet nga Suella Braverman apo nga dikush tjetër, është e rëndësishme që të mos përgjithësohet një grup i tërë njerëzish nga veprimet e disa individëve. Pavarësisht se eksperienca ime në Angli ka qenë pozitive kam pasur komente aty-këtu dhe disa njerëz më paragjykojnë kur them se familja ime është shqiptare”, tha ajo për median britanike.

Ajo është shprehur se ka takuar të rinj, 14 dhe 15-vjeçarë që kanë shkuar në Britani si viktima të premtimeve të bandave kriminale për një të ardhme më të mirë, por më vonë e gjejnë veten të bllokuar në skllavërinë moderne.

“Ka familje që luftojnë për një jetë më të mirë, duke kërkuar punësim dhe mundësi në Mbretërinë e Bashkuar pasi vendi i tyre ka mungesa”, tha ajo.

Dhe sipas studentes shqiptare ata kalojnë një udhëtim të tmerrshëm ku rrezikojnë edhe jetën për një mundësi e për një të ardhme më të mirë.

“Nuk jemi të gjithë kriminelë, por ndonjëherë trajtohemi të gjithë ashtu”, tha ajo.

Marinela fillimisht lëvizi nga Shqipëria në Kretë për t’i shpëtuar luftës në Kosovës. Pasi përfundoi studimet në Kolegjin Amerikan të Greqisë në Athinë, ajo i vuri synim vetes që të bëhet avokate. Marinela ka treguar se edhe në Greqi e ka pasur të vështirë që të rritej për shkak se nuk ftohej si pasojë e kombësisë së saj.

“Ishte shumë e vështirë të rriteshe në Greqi pasi njerëzit më shihnin ndryshe. Nuk do të ftohesha në gjëra të ndryshme pasi isha shqiptare, diçka që ishte vërtetë shqetësuese. Ulesha në shtëpi dhe mendoja se pse këto më ndodhnin mua. E kam pasur këtë gjithë jetën time, në shkallë të ndryshme, madje edhe në Angli dhe jam e sigurt se edhe shqiptarët e tjerë kanë përjetuar njësoj”, tha ajo.

Të Fundit