STOP-EMISIONI 94 (Sezoni 9)-11 Janar 2024-Baterdia, si u bë deti tokë e u legalizua për drejtoreshën e Kadastrës

Jemi në Sarandë, ku investigojmë, sesi familja e drejtoreshës së Kadastrës, Aida Demi ka përfituar tokë, që më parë ka qenë det.Hoteli buzë detit, i ndërtuar nga familjaret e Aida Demit mbi një truall të blerë me proces privatizimi në vitin 1992, gllabëroi një pjesë të konsiderueshme të bregut të detit, pjesë, që u mbush me inerte dhe u kthye në tokë. Me një kontratë shit-blerjeje në 5 korrik 2019, Ministria e Financave ia shiti atë familjes Demi, duke e kthyer detin në tokë. Pas vetëm 4 ditësh, familja Demi merr certifikatën e pronësisë jo për 600 m2 sa bleu, por për 1325 m2.Më pas, në vitet 2020 dhe 2021 dhe 2022, familja e Aida Demit ka marrë disa leje për ndërtimin e një objekti të ri dhe shtesë katesh për objektin ekzistues.Emisioni “Stop” ka mësuar, se Aida Demi ka legalizuar dy kate pa leje të një objekti, për të cilat, ka pasur urdhër prishjeje nga Bashkia dhe INUK.Nga ana tjetër, në lokalin e vëllait të drejtoreshës së Kadastrës, në cepin e lokalit, është legalizuar një banjo, që pasqyrohet si objekt në dokumentet e legalizimit.Edhe në Ksamil Aida Demi ka legalizuar objekte dhe ka dhënë truall në mënyrë të paligjshme, madje duke legalizuar edhe objekte, që nuk ekzistojnë.Kjo ka ndodhur me certifikatën e pronësisë së Isuf Dariut apo dhe me atë të Taulant Mukës.

Në 5 prill 2022 ishim në Korcë, në ish-konviktin e ndërtimit, ku ishin strehuar familje të pastreha dhe jetimë.Mes tyre banonte edhe një 63 vjecar i vetmuar, Andrea Beqiri,i cili për shkak të gangrenës kishte prerë një këmbë. Pasi e mbajtën një muaj në spital,e kthyen në godinën e konviktit, pa njeri që të kujdesej për të. Fatkeqësisht i sëmuri ndërroi jetë, megjithëse emisioni “Stop” kishte organizuar gjithë sistemimin e tij. “Stop” iu drejtua Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korcë, për t’i dorëzuar një kallzim, duke kërkuar fillimin e hetimeve për Shërbimin Social, si dhe stafin mjeksor, për mjekim të pakujdesshëm.Gati dy vjet pas kësaj fatkeqësie, flasim me prokurorin Olger Eminaj, i cili na thotë, se deri para disa javësh cështja ka qenën nën hetim, por ai ka shkuar në KLP dhe nuk di më se cfarë bëhet me këtë rast. Titullarja e Prokurorisë Dhorina Theodhori, thotë, se rasti është hedhur sërish në short e po hetohet nga Anjeza Kalanxhi.

11 janari ka hyrë në kujtesën tonë si festa e republikës. Pikërisht në këtë ditë, një tjetër festë zyrtare i shtohet kalendarit tonë të festave.Këshilli i Ministrave mori vendim, që 22 nëntori, dita e Alfabetit, të jetë pushim zyrtar në nder të kongresit të Manastirit.

Të Fundit