STOP – 11 Janar 2018 EMISIONI 94 (SEZONI 3)

Prezantohet portali “Infermierë për Shqipërinë”.
Dje pasdite u prezantua nisma më e re e qeverisë, portali “Infermierë për Shqipërinë”. Pas “suksesit” të plotë të portaleve të ngjashëm, u erdhi rradha infermierëve. Në hyrje të aktivitetit, shumë prej punonjësve të shëndetësisë u ankuan për pagat e kushtet. Ndërsa pas daljes dhe fjalimit të kryeministrit Rama disa nga pjesëmarrëset thanë, se janë të kënaqura, pavarësisht nga paga mujore.

Skandali, anëtarja e këshillit bashkiak Vorë zapton rrugën e ujëmbledhësit të Sharkës.

Ujëmbledhësi i Sharkës tanimë është pjesë administrative e Bashkisë Vorë, ndërsa më parë ka qenë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë. Asokohe Behar Fiora e mori me qera me kontratë 10 – vjeçare, por sot ai ndeshet me një pengesë jo të vogël. Rruga që të çon tek ujëmbledhësi i Sharkës është bllokuar me një tabelë, ku shkruhet “pronë private” dhe si të mos mjaftonte kjo, është ndërtuar edhe një lokal në digën e ujëmbledhësit.

Bashkëshortët Agim dhe Silvana Mema pretendojnë pronësinë e rrugës.

Por drejtori i Administrimit të Tokës, Baftjar Kalemi thotë se nuk ka asnjë rrugë me status “privat” dhe ia faturon zgjidhjen Bashkisë Vorë.

Por kjo e fundit nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për zgjidhjen e këtij problemi. Pas një investigimi nga gazetari i emisionit “Stop” rezulton se “pronarja e tokës”, Silvana Mema është anëtare e Këshillit Bashkiak të Vorës.

“Iu drejtova emisionit “Stop” se nuk kam rrugë për të ardhur te ujëmbledhësi i Sharkës, te puna ime. Është një Agim Mema thonë, që ka shkruajtur “pronë private”, kur kjo është rruga e digës. I kam thënë, por nuk e hap rrugën. Nuk di çfarë të them, kërkoj vetëm që të më hapet rruga, s’më intereson toka, dua të vij dhe të bëj punën time”.

Gazetari i emisionit “Stop” ndoqi rrugën për të shkuar tek ujëmbledhësi i Sharkës dhe vuri re se dalja e emergjencës ishte e bllokuar nga një aktivitet privat, një lokal i ndërtuar nga Agim dhe Silvana Mema.

Ndaj dhe gazetari iu drejtua “pronës së tyre private” për të komunikuar me bashkëshortët Mema.

Agim Mema – Kam respekt për ty se je një që zgjidh gjithë problemet e popullit. Por të vish të futesh në pronë private?

Silvana Mema – Më fal, a e lexove “pronë private”?

Gazetari – Por unë, para se të vija këtu, e verifikova që s’është pronë private.

Pas interesimit të gazetarit të emisionit “Stop” në Këshillin e Qarkut Tiranë, u tha se në bazë të dokumentacionit, rrugët janë pronë shteti, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Silvana Mema – Kjo është pronë private! Ku e njohe këtë zotërinë si pronar legjitim. Ne jemi në çështje gjykate me këtë dhe ti ke bërë shumë gabim që ke hyrë atje. Domethënë, nëqoftëse ti do të transmetosh këtë, do të hyj në konflikt me ju pastaj. Këtu është pronë private dhe vërtetohet gjithandej me certifikata, që unë s’kam të drejtë të t’i tregoj fare ty se ti s’ke ardhur për mua, por ke ardhur për këtë. Ti ke bërë shumë gabim që ke ardhur me këtë zotërinë (Behar Fiorën).

Gazetari – Zotëria ka një kontratë më Ministrinë e Bujqësisë.

Silvana Mema – Zotëria të kishte marrë një helikopter të kishte filmuar ujin se ka një kontratë vetëm për ujin. Rrugën e ka që të hyjë, në pronën time s’ka të drejtë fare!

Në Ministrinë e Bujqësisë, drejtori i Administrimit të Tokës, Baftjar Kalemi tha se kjo çështje zgjidhet nga pushteti vendor, pra nga Bashkia Vorë.

Gazetari iu drejtua bashkisë për të prezantuar problemin, pavarësisht faktit që këtë e kanë bërë edhe vetë Behar Fiora dhe institucionet e tjera. Bashkia Vorë kërkoi një shkresë zyrtare nga emisioni “Stop”, duke e zvarritur kështu ndërhyrjen që duhet të jetë e menjëhershme.

Por emisioni “Stop” investigoi rreth kësaj çështje dhe zbuloi se “pronarja e tokës”, Silvana Mema është anëtare e Këshillit Bashkiak në Vorë.

Gazetari – Po zonja Silvana Mema është anëtare këshilli këtu në Bashkinë Vorë?

Zyra e Informacionit Bashkia Vorë – Edhe mund të jetë?

Gazetari – Është apo jo?

Zyra e Informacionit Bashkia Vorë – Është.

Gazetari i emisionit “Stop” doli në përfundimin se Bashkia Vorë dhe Silvana Mema kanë konflikt interesi për pronën, ndaj çështja zvarritet dhe nuk e hapin rrugën që të çon në ujëmbledhësin e Sharkës.

OSHEE Shijak nuk i lidh dritat: fëmijët e mitur rezultojnë debitorë?!…

Artan Paja, një qytetar me banim në Ishëm të Shijakut, tregon në emisionin “Stop” se prej një muaji paraqitet pranë zyrave të OSHEE-së për të lidhur një kontratë të re energjie elektrike. Por në zyrat e këtij institucioni i thonë se babai, xhaxhai dhe vëllai i tij rezultojnë debitorë.

Ngatërresa është se djemtë e Artanit kanë emrat e babait dhe të xhaxhait të tij. Në një ballafaqim me shefin e shitjes pranë OSHEE Shijak, Fatbardh Cenka thotë se emrat e fëmijëve rezultojnë debitorë, pavarësisht faktit që ata janë të mitur.

Pas një debati të gjatë mes qytetarit, punonjësit të OSHEE-së dhe gazetares së emisionit “Stop”, u vendos që Artan Pajës t’i lidhet energjia. Ky vendim erdhi pasi denoncuesi firmosi më parë një deklaratë, ku thuhej se nuk do iu japë energji të afërmve të tij debitorë.

“Unë jam Artan Paja. I jam drejtuar emisionit “STOP” se kam një problem me energjinë elektrike. Kam 7 muaj që jam ndarë nga familja. Unë kam patur energji elektrike se merrja te vëllai me një kabëll sa për të rregulluar shtëpinë e për të jetuar këto 7 muaj. Tani unë kam një problem.

OSHEE më nxjerr debitorë fëmijët e mi. Të dy fëmijëve të mi i kam vënë emrat e babait dhe xhaxhait tim. Atyre u rezulton debitorë, unë nuk e di se ata nuk jetojnë me mua dhe nuk kam lidhje fare me ta. Djemtë e mi janë të mitur dhe rezultojnë debitorë te OSHEE. Unë kam gati 1 muaj që jetoj pa drita. Inxhinier Fatbardh Cenka më ka thënë që nuk ma lidh kontratën përfundimisht se familjarët i ke debitorë.  Fëmijët e mi kanë lindur në Itali, por ata thonë se nuk iu intereson, ashtu ua nxjerr sistemi. Tani çfarë faji kam unë”?

Gazetarja e emisionit “Stop” i drejtohet OSHEE Shijak për të pyetur se si mund të jetë një minoren debitor. Fatbardh Cenka pretendon se e ka verifikuar rastin në fjalë dhe i ka rezultuar se Vath dhe Liman Paja, fëmijët e Artanit, janë debitorë, por shprehet se në sistem nuk paraqitet datëlindja e debitorëve.

Pas një debati të gjatë mes Artanit, gazetares së emisionit “Stop” dhe Fatbardhit, ky i fundit  kërkoi një garanci nga denoncuesi që nuk do t’i japë askujt energji elektrike. Një kërkesë e çuditshme kjo, pasi nuk ndodhet në listën e dokumentacioneve të nevojshme për një lidhje të re energjie elektrike dhe këtë gjë ia thekson gazetarja.

Pavarësisht kësaj, Artan Paja nënshkroi një deklaratë pranë OSHEE Shijak, ku thuhej: “Unë Artan Paja deklaroj se nuk do i jap energji askujt, madje as babait dhe vëllait tim, as Ganiut, As Albanit”. Pasi pagoi edhe detyrimet për lidhjen e kontratës së energjisë elektrike, Artani falenderon emisionin “Stop” për zgjidhjen e këtij problemi.

Të Fundit