STOP – EMISIONI 91 (SEZONI 2)

“Landfilli” i improvizuar i Freskut dhe dritat e Postribës.
Lumi I Tiranës në zonën e Freskut është kthyer në një vend-grumbullim të madh mbeturinash. Në kohën, kur po debatohet cdo ditë për importin e plehrave dhe ndotjen prej tyre, edhe banorët “kontribuojnë” mjaftueshëm, për një mjedis aspak të shëndetshëm. Dritat në Postribë nuk ndizen, edhe pse për energjinë, është paguar shumë nga paratë e taksapaguesve.

Të zotit i pikon catia…, po bashkia nuk lejon riparimin.
Qytetarja Anila Shore banore në lagjen “Ali Demi” në kryeqyet tregon në “Stop”, se e ka blerë shtëpinë në vitin 2001,por pas 16 vjetësh nuk ka ende hipotekën.Por ky është problemi më i vogël për të. Zonja Shore thotë, se i pikon catia dhe as njësia administrative dhe as bashkia, nuk i japin leje për ta riparuar. Ajo jeton me lagështinë dhe mënyrat e improvizuara për të pritur ujin, sidomos në ditët me shi.Gazetarja e emisionit kontakton Inxhinierin e njësisë administrative numër 1 Geni Hoxhalli, i cili thotë, se zonja nuk mund të ndërhyjë në cati, sa kohë, që nuk ka hipotekën e banesës…?!

Kronikë më e zgjeruar:

Anila Shore një banore në lagjen “Ali Demi” në kryeqyet tregon në emisionin investigativ “STOP”, se që prej vitit 2001 ka blerë një apartament në këtë zonë, por e ka të pa hipotekuar. Pra këtij pallati ende nuk i është kryer kolaudimi edhe pse kanë kaluar 16 vite.

Duke mos pasur në dorë letrat e hipotekës, Anila Shore nuk mund të bëj dot asnjë riparim në apartamentin e saj. Banesa e saj ka nevojë për riparim të pjesës së çatisë, pasi kjo e fundit ka marrë hark dhe i gjithë shiu, që bie pikon në tavanët e shtëpisë.

Sipas nenit 7, nëse nuk ke hipotekë nuk mund të kryesh dot riparime, por rasti në fjalë është emergjent. Ajo jeton me lagështinë dhe mënyrat e improvizuara për të pritur ujin, sidomos në ditët me shi. As Njësia Administative dhe as Bashkia e Tiranës nuk japin një leje për të riparuar pjesën e çatisë.

Këtë shtëpi e kam blerë në vitin 2001. Në vitin 2002 noterja e firmës na ka bërë aktin e shitjes dhe na tha, që do të na jepte hipotekën e pallatit. Kaluan një muaj, dy muaj dhe nuk po na e jepte hipotekën e pallatit. E pyesim se cila është arsyeja dhe ajo na thotë, që Hipoteka i ka bllokuar veprimet e pallateve të reja. Kur të hapet atëherë do ta merrni. U bënë 16 vjet dhe akoma nuk e kemi marrë. Kur Hipoteka i hodhi në sistem të gjitha pallatet e reja, unë shkova dhe pyeta, që pse nuk e marr dot hipotekën e hyrjes time. Hipoteka më tha, që ky pallat nuk ka lejen e shfrytëzimit nga Bashkia. Ky është historiku, që unë nuk e kam marrë dot hipotekën e kësaj hyrjeje.

Por unë kam një problem shumë të madh në shtëpi, më pikon çatia. Mbulesa e hyrjes time është me tjegulla dhe këto kanë një konstruksion brënda, që është prej hekuri. Largësia e këtyre hekurave nga njëri – tjetri  është gati një metër. Çatia ime ka krijuar shumë bark plus, që edhe pjerrësia e tjegullave, që është ndërtuar konstruksioni është shumë i ulët jashtë çdo norme të lejuar. Këtë ma ka vërtetuar inxhinieri me një projekt teknik që ka bërë dhe ia kam dorëzuar Bashkisë. Shkova te Njësia Administrative numër 1 dhe takova inxhinierin e Urbanistikës. Erdhi e verifikoi, por tha që do flasim me administratoren e njësisë. Pasi folëm me administratoren kjo e fundit tha, që nuk të jap dot leje vetëm Bashkia e madhe. Kam vajtur në Bashkinë e madhe dhe bëra një kërkesë, por nuk ma aprovuan. Bëra sërish një kërkesë tjetër në Bashki duke thënë që, të lutem nga ana njerëzore të shikoni situatën time. Përgjigja ishte sërish negative. Nuk kam çfarë të bëj dimri është përpara, ju e shikoni sesi është këtu me kova.  Kur bie shi unë dëgjoj tingujt e pikave të shiut.

Gazetarja e emisionit “STOP” kontakton inxhinierin e Njësisë Administrative numër 1 Geni Hoxhalli, i cili thotë, se zonja nuk mund të ndërhyjë në çati për sa kohë që nuk ka hipotekën e banesës.

“InxhinieriPër problemin e zonjës jemi marrë. Për punimet, që zonja kërkon të kryejë parashikohen tek neni 7 me deklaratë paraprake punimesh.

GazetarjaPër zonjën, që nuk e di neni 7 çfarë do të thotë?

InxhinieriTë plotësojë një deklaratë paraprake punimesh.

Gazetarja – Po mirë, pse administratorja nuk del? E di që është në zyrë, pse nuk e sqaron këtë problem?

InxhinieriZonja Trëndelina, po nuk mori një udhëzim nga kryetari nuk mund të prononcohet sepse jemi nën varësinë e Bashkisë së Tiranës. Më vjen shumë keq!

GazetarjaE marr vesh! Po për këtë problemin çfarë do të zgjidhet tani, sepse zonja e ka pa hipotekë shtëpinë.

InxhinieriPikërisht!

GazetarjaE marr vesh, që nga ana ligjore dhe si rregull nuk lejohet që të veprojë pa leje. Tani nga ana njerëzore? Sepse zonjës… ti ke vajtur edhe vetë. Ky është personi, inxhinieri…

Inxhinieri E kam parë pra…

GazetarjaE ke parë situatën, që po i shembet tavani?

InxhinieriPo për ato punime, njësitë administrative nuk kanë leje.

GazetarjaÇfarë duhet të ndjekë?

InxhinieriPo tani, nuk është problemi jonë, që ju (qytetares) nuk keni hipotekë zonjë! Na vjen shumë keq! Ju mbaroni brenda pesë ditësh nga Bashkia e Tiranës, merrni përgjigje.

Gazetarja Derisa të marri zonja hipotekën, duhet të presi gjithë shiun me legena në shtëpi?

InxhinieriPo tani, si mendoni ju? Ne do të shkelim ligjin tani, apo çfarë të bëjmë?

GazetarjaUnë po them, që ju ta bëni rastin sa më emergjent tek Bashkia e madhe. E kuptoni? Të lutem, e kuptoni, që është një rast emergjent?

Inxhinieri E kuptoj pra, sepse të thashë që do…

GazetarjaE keni raportuar? I keni bërë një kërkesë Bashkisë së Tiranës, më trego një kërkesë… ju si Bashki…

InxhinieriPo pra, më thuaj kërkesën mua dhe unë do të të përgjigjem zyrtarisht

GazetarjaAaa, unë të të bëj kërkesë ty, që ti të tregosh kërkesën mua?

InxhinieriA kërkon informacion tani? Më vjen shumë keq, unë do të jap përgjigjen.

GazetarjaPo mirë pra, zonjës po i shembet shtëpia. Do presim 10 ditë për kërkesën, që do i bëjmë njëri – tjetrit, që tit ë më tregosh mua, që ke bërë një kërkesë tek Bashkia e madhe?

InxhinieriPër zonjën, ankesën e zonjës e kemi vlerësuar në mënyrë maksimale.

Gazetarja S’ka sens kjo.

Inxhinieri Tek neni 7 kërkohet hipoteka.

Qytetarja – E kam shumë të qartë.

Inxhinieri Ju nuk e keni tani…

Qytetarja – Je shumë në rregull, mor djalë.

Inxhinieri Po tani, çfarë të bëjmë?

GazetarjaPër procedurën je shumë i rregullt, por problemi është një rast emergjent. Ju e keni vënë në dijeni (Bashkinë e Tiranës) si njësi administrative?

Inxhinieri Ma bëj me shkrim dhe do të kthejmë përgjigje.”

 

Humor dhe absurd nga realiteti shqiptar.
Në një shkollë nxënësit kanë hipur mbi kangjella. Edhe në një tjetër shkollë një nxënës kapërcen derën e mbyllur. Në një kopsht fëmijët ngrenë dru për t’i futur në ambientet e brendshme. Libri i matematikës shpjegon sesi bëhet mbledhja për rezultatin 10, por numri i mollëve, që përdoren për ilustrim është 9. Një mësuese shet librin e saj në klasë. Janë këto disa nga situatat absurde të transmetuara dhe komentuara në pjesën e tretë të emisionit të sotëm “Stop”.

Të Fundit