STOP – EMISIONI 73 (SEZONI 2)

Ushqimet “vrasëse”, AKU bllokon kikirikët kinezë.
Pas transmetimit në “Stop” të problematikës së kikirikëve kinezë me përmbajtje të lartë aflatoksine, ka reaguar AKU-ja. Punonjës të saj kanë bllokuar të gjithë këtë lloj kikiriku nga magazinat e tregut ushqimor, ku filmoi “Stop” dhe kanë vijuar gjurmueshmërinë e produktit, nga pikat doganore hyrëse e deri në treg. Kikiriku është cuar edhe në institutin veterinar për analiza.Por “Stop” sjell sot mënyrën, sesi shiten pulat e vezëve, pasi kanë mbaruar ciklin e prodhimit. Asnjë certifikatë shoqëruese për pastërtinë e shpendëve, që është në fakt detyrim ligjor…

Një ditë më parë, emisioni investigativ “STOP” transmetoi problematikën e shitjes së kikirikëve të importuara nga Kina me përmbajtje të lartë aflatoksine në tregun Agro Ushqimor.

Menjëherë ka reaguar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Punonjës të saj kanë bllokuar të gjithë këtë lloj kikiriku nga magazinat e tregut ushqimor, ku filmoi “STOP” dhe kanë vijuar gjurmueshmërinë e produktit, nga pikat doganore hyrëse e deri në treg. Kikiriku është çuar edhe në Institutin Veterinar për analiza.

Sot, me anë të një tjetër kamere të fshehtë, “STOP” solli mënyrën sesi shiten pulat e vezëve, pasi kanë mbaruar ciklin e prodhimit. Këto pula janë ndyshe nga pulat për t’u ngrënë, pasi pulat e vezëve nuk shikojnë dritën e diellit asnjëherë dhe janë të destinuara vetëm për vezë.

“STOP” është ndalur në Berat, ku tregohet sesi këto pula shiten me 150 lekë për tregtarët.

Qytetari– Si kaluat? Me ble ca pula nga ato, që nuk bëjnë vezë.
Punëtori– Sa pula doni?
Qytetari– Sa ke për të shit ti?
Punëtori – Me 150 lekë shitet pula këtu, për tregtarët e ke parasysh.
Qytetari – E kuptoj, po mirë t’i marrim.
Punëtori– Mirë, prisni një çikë atje!
Qytetari – Thashë t’i provosha një herë si janë, janë shumë të lodhura?
Punëtori– Po të lodhura janë o burrë, po nuk qenë të lodhura, nuk e nxjerr ai.

Qytetari – Sa vite rrinë duke bërë vezë?
Punëtori – 18 muaj i mbajmë.
Punëtori – Sa do merrni ju?
Qytetari – Nxirri 30 copë.
Punëtori – Merr 20.
Qytetari – 20.
Qytetari – Në rregull.
Punëtori – Në rregull.
Qytetari – Për 700-800 copë cfarë pazari kanë?
Punëtori – Nuk e di, flasim në telefon. Unë jam si puna jote në këtë rast, unë do flas me atë të madhin aty.

Qytetari – Shiten këto?
Tregtarja – Po me dy.
Qytetari – 200 mijë lekë copa?
Qytetari – Të pularisë janë këto?
Tregtarja – Po të pularisë. Për sëmundje të garantoj unë.
Qytetari – Po pse janë kështu të rrjepura?
Tregtarja – Ngaqë nuk kanë parë diell me sy.

Me ligj, këto pula mund të shiten, por në rastin konkret nuk kanë asnjë certifikatë shoqëruese për pastërtinë e shpendëve, që është në fakt detyrim ligjor.

Vladimir Cuka dhe mashtrimi nën petkun e dhomës së tregtisë shqiptaro-serbe.

I riu 23 – vjeçar Amarildo Rushani është invalid. Ai i është drejtuar emisionit investigativ “STOP”, për të treguar historinë e një mashtrimi me fatkeqësinë e tij. Vladimir Cuka është prezantuar si President i Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Serbi, duke i marrë 7 mijë euro në këmbim të një medikamenti që gjendej në Serbi, që do ta ngrinte në këmbë Amarildon. Por familjarët e tij tregojnë se, nga ai moment, Vladimir Cuka u zhduk. Nga një kërkim i “STOP” rezulton se Cuka ka qenë vërtet i lidhur me Dhomën e Tregtisë Shqipëri – Serbi, por në Ambasadën e Beogradit në Tiranë, sot të thonë se nuk e njohin këtë person. Të njëjtën përgjigje japin edhe në Dhomën e Tregtisë Shqipëri – Serbi.

Gazetari: Përshëndetje Amarildo, sa vjeç jeni dhe pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”?
Amarildo Rushani: Jam 23- vjeç dhe i jam drejtuar emisionit “STOP” pasi një person, i cili quhet Vladimir Cuka më ka marrë 7 mijë euro. Mu afrua duke pirë kafe në lokal dhe më tha se për këtë sëmundje që ke ti, unë të shëroj në Serbi. Fola me familjen për këtë problem dhe i thashë më duhen 7 mijë euro që të shërohem. Mami shkoi dhe mori kredi në bankë, që unë të shërohesha dhe më pas vajta tek noterja dhe bëra një kontratë deri në datën 30 Tetor. Vladimir Cuka duhet të më çonte në Serbi, por nuk më çoi gjatë kësaj kohe. E kam marrë në telefon, por nuk më përgjigjet, më mashtroi. Vladimir Cuka hiqej si President i Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Serbi dhe me këtë më ka mashtruar. I bëj thirrje shtetit të më ndihmojë, pasi jam në Tiranë në mes të rrugës dhe nuk kam as shtëpi asnjë gjë.

Nëna e Amarildo tregon për “STOP”, sesi u takua djali i saj me Vladimir Cukën.

Erveshe Rushani: “Djali më merr në telefon dhe më tha; mami më duhen disa lekë pasi më ka dalë ilaçi i sëmundjes time. E pyeta djalin si u njohe dhe ai më thotë për emrin e Vladimir Cukës. Ai i kishte kërkuar 7 mijë euro për të shëruar sëmundjen. Erdhi në shtëpi dhe u prezantua si Presidentit i Dhomës Serbi – Shqipëri. Na tha se ka një mik në Serbi, i cili do shëronte sëmundjen e djalit. Na kërkoi 7 mijë euro, pasi nëna bën çdo gjë për fëmijën. Më pas na i preu lidhjet, djalit i bëri bllok mua ma fiku telefonin. Kjo gjë na ka shkatërruar, mbyllja e telefonit. Jam shumë e lodhur nga jeta, me dy invalidë, vajzën e kam të divorcuar. Mua që 37 -vjeç më është shkatërruar jeta. Më shumë keq më vjen që i tha djalit se do shërohesh dhe tani është zhdukur. Vladimiri për mua është një mashtrues ordiner.

Vladimir Cuka është regjistruar në Gjykatë si President i Dhomës Tregtare Shqipëri – Serbi, por Ambasada Serbe dhe titullarë të tjerë nuk e njohin si përfaqësues.

Në këtë pikë ekziston një ngërç, për aq kohë sa e ka regjistruar Gjykata. Megjithatë çdo njeri mund të bëjë një Dhomë Tregtare.

Gazetari i “STOP” pyeti edhe Koordinatorin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Serbi, nëse Vladimir Cuka është Presidenti, por ata njohin si kryetar Isuf Ferrën dhe nuk e kanë dëgjuar asnjëherë emrin e Vladimirit.

Skandali i prokurores Ida Ahmetlli, akuzon gazetarin investigativ për korrupsion aktiv…?!
Në fillim të muajit tetor kamera e fshehtë e “Stop” mundi të blejë një motorr nga rezervat e shtetit, aty ku mbahen në ruajtje objektet e sekuestruara. Të nesërmen e emisionit motorri u risekuestrua dhe nisi hetimi kryesisht. Por në mënyrë të paprecedentë prokurorja Ida Ahmetlli guxon të vërë nën akuzë për “korrupsion aktiv” gazetarin investigativ të emisionit “Stop”!!! Pavarësisht se kjo mund të jetë një tentativë e shëmtuar, por aspak e zgjuar për t’i mbyllur gojën pushtetit të katërt, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë me emisionin “Stop”. Kësaj cështjeje do t’i shkohet deri në fund e po kështu zullumeve të sojit të prokurores Ahmetlli, që numërojnë para e pasurohen mbi hallet ekzistenciale të njerëzve të pashpresë. Kur ky fenomen ndodh me një gazetar investigativ, imagjinoni cfarë i ndodh një individi të pambrojtur…?!

Të Fundit