STOP-EMISIONI 34(Sezoni 12) 26 Tetor 2026-Cudia,Kadastra i zhduk shtëpinë 100-vjeçare në Mangalem, fqinjët i zaptojne oborrin

Një shtëpi rreth 100-vjeçare në lagjen historike të Mangalemit në Berat duket se është zhdukur nga hartat dixhitale të Kadastrës. Arta Pushi, e cila prej 30 vitesh jeton në Greqi, denoncon në emisionin “Stop”, se shtëpia, ku ka lindur dhe është rritur, nuk figuron më në regjistrat e pronësisë. Pas vdekjes së nënës, në vitin 2019, gjatë kalimit të pronësisë, ajo zbuloi, se objekti, nuk ishte regjistruar dhe se edhe trualli, ku ndodhet shtëpia, figuron si tokë shtetërore.Pavarësisht ankesave të shumta, Arta nuk ka mundur të zgjidhë problemin dhe është detyruar t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar njohjen e pronës së saj. Por problemi nuk përfundon këtu. Sipas denoncimit, gjatë regjistrimit dixhital të vitit 2019, fqinjët kanë përfshirë në pronësinë e tyre edhe oborrin pas shtëpisë. Këtë problem, e konfirmon edhe Kadastra e Beratit.Tashmë, fati i shtëpisë shekullore, i truallit dhe i oborrit pritet të vendoset në Gjykatën e Beratit.

Kryeministri Rama ka publikuar disa nga masat, që pritet të aplikohen ndaj protestuesve të dhunshëm. Gjoba e kufizime lëvizjeje janë vetëm disa nga masat e pritshme. Në këtë kushte, ne sjellim në vëmendje disa batuta filmash të realizmit socialist, në situata të ngjashme.

Në muajin prill transmetuam një konflikt të rëndë pronësie në Gjinar të Elbasanit mes familjes Myrta dhe një fabrike uji, që operon në zonë. Familja Myrta pretendon, se zotëron ligjërisht rreth 4,000 m² truall në zonën e Derstilës. Sipas familjes, fabrika, e administruar nga Besnik Panxhi, disponon vetëm një leje legalizimi për 270 m² ndërtesë dhe rreth 500 m² truall funksional. Megjithatë, në vijim të aktivitetit të saj, fabrika është zgjeruar përtej këtyre kufijve, duke hyrë në territorin e pretenduar nga familja Myrta. Për këtë zgjerim pa leje, subjekti është ndëshkuar me gjobë që në vitin 2014, ndërsa institucionet vendore kanë deklaruar mungesë mjetesh për prishjen e ndërtimit të paligjshëm.Konflikti nuk mbetet vetëm në dokumente, por reflektohet edhe në terren. Familja Myrta denoncon bllokimin e rrugës së vetme të aksesit në pronën e tyre, pasi ajo pengohet nga automjetet e fabrikës, duke kufizuar përdorimin normal të pronës.Përfaqësuese të familjes, Rexhina dhe Rabie Myrta, theksojnë, se kjo pronë u përket prej vitesh dhe lidhet edhe me historinë familjare, pasi ato janë vajza dhe bashkëshortja e komandant Telit, një luftëtar, që ka dhënë jetën në tre luftëra. Nga ana tjetër, administratori i fabrikës, Besnik Panxhi, shprehet, se një pjesë e tokës, është blerë nga një prej trashëgimtarëve të familjes, por pranon, se kjo nuk përfshin të gjithë sipërfaqen në konflikt. Drejtuesi i njësisë administrative ka deklaruar, se nuk kishte dijeni për rastin.Ndërsa nëndrejtori i Kadastrës së Elbasanit, Mentor Tola ka këshilluar depozitimin e një ankese për rishikimin e rastit. Pas ndërhyrjes së “Stop”, familja kërkoi riazhornimin e pronës, por edhe pas përfundimit të afatit 45-ditor, sipas denoncueses Rexhina Myrta, situata nuk ka marrë zgjidhje. Ndërsa përfaqësues të firmës së azhornimit dhe të ASHK-së Elbasan dhanë përgjigje të ndryshme për ecurinë e praktikës, familja mbeti në pritje.Gjatë interesimit të mëtejshëm, specialisti i ASHK-së, Shpëtim Hala, shpjegoi se zona nuk ishte e azhornuar dhe se toka kishte figuruar si shtetërore. Sipas tij, një prej trashëgimtarëve, Arjan Myrta, kishte bërë vetëdeklarim, i cili ishte miratuar, ndërsa fabrika dispononte dokumentacion legalizimi për objektin. Për familjen, kjo përgjigje është e papranueshme: në vend që të zgjidhet konflikti dhe të shqyrtohet përgjegjësia për regjistrimet, asaj i komunikohet se do të shpronësohet.

Të Fundit