Jemi në qytetin e Lushnjës. Një zonjë ankohet, se fqinji përbën rrezik për fëmijën e saj 12 vjec. Ndërkohë, kemi të bëjmë me një person, që është i alkoolizuar dhe ka nevojë për ndihmë mjeksore dhe psikologjike.Denoncuesja thotë, se prej 10 ditësh ka shkuar në polici,ku ka bërë deklarata e kallzime. Por jo vetëm, që asgjë nuk është zgjidhur, por fqinji është bërë edhe më agresiv.Ai i vjen në derë dhe e kërcënon zonjën dhe djalin e saj.Ne e takuam qytetarin në fjalë dhe ai pranoi, se pi raki, por thotë, se e ngacmojnë fëmijët e lagjes.Pas shumë përpjekjesh, ai është dërguar te specialistët, teksa institucionet në Lushnjë, nuk e kanë trajtuar kurrë këtë rast sic duhet.Valentina Asabella, mjeke psikiatre, thotë, se për rastin e qytetarit, bëhet fjalë për psikoza, që ndodhin post alkoolit.Ai duhet të trajtohet menjëherë.
Pas Samitit të Procesit të Berlinit, që u mbajt të hënën vijojnë të dalin video nga takimet, apo drekat e mbyllura. Në një video, që po qarkullon së fundi, shfaqen kamarierët, që u shpërndajnë pica liderve europianë. Në paketim është portreti i Ramës, ndërsa brenda kutive, janë pjata të punuara me dorë nga vetë i pari i qeverisë shqiptare.Spaku i ka dërguar një letër zyrtare kompanisë Facebook, ku i kërkon bashkëpunim për gjetjen e vendndodhjes së ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Kjo, sepse Ahmetaj ka publikuar qëndrime në facebook, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare të drejtësisë.
Në këtë pjesë të emisionit i rikthehemi rastit të Elidon Gjikokës, i cili përmes një kontrate qiramarrjeje për një pronë në Dhërmi u bë pronar, duke korruptuar sistemin e legalizimit dhe hipotekës së Vlorës. Pas publikimit në “Stop”, Prokuroria e Tiranës nisi një procedim tjetër, duke dërguar para drejtësisë 16 të akuzuar me në krye Elidon Gjikokën, për shpërdorim detyre dhe vepra korruptive.Prokurori Albert Kulici fillimisht i eliminoi bashkëpuntorët e Elidonit, duke mos i akuzuar 15 zyrtarët e Aluiznit dhe Hipotekës. Por Gjykata e Lartë vendosi në 22 nëntor 2022 zëvendësimin e masës nga Detyrim Paraqitjeje në Arrest Shtëpie. Ne kemi parë, sesi në 12 janar 2023 Elidon Gjikoka thyen arrestin e shtëpisë. Ilia Koka, njëri prej vëllezërve, që iu rrëmbye prona, denoncoi këtë fakt. Pas njoftimit nga ana e gazetarit të “Stop”, policia e Vlorës shkoi në vendngjarje dhe bëri të mundur shoqërimin në komisariat të Elidon Gjikokës, për të vijuar procedurat. Pasi gjyqtari Enkel Peza pushoi akuzat për 16 personat, që në seancën paraprake, familja Koka e apeloi dhe fitoi dy shkallët, Apelin dhe të Lartën, të cilat vendosën, që 16 personat e akuzuar të dënohen. Në këtë fazë cështja vjen sërish në Gjykatën e shkallës së parë Vlorë.Skandali i radhës i gjyqtarit Hektor Sinanaj ka të bëjë me faktin, se ai ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të pandehurit, në një kohë që ligji ia ndalon.Në këtë mënyrë Sinanaj del hapur në favor të të akuzuarve dhe Elidon Gjikokës.Për këtë shkelje flagrante ne kemi marrë opinionin e tre ekspertëve të fushës Gentian Trenova, ish-prokuror i krimeve të rënda, Genci Gjokutaj, ish-prokuror/avokat dhe Andri Ymeri ish-kryetar Gjykatës Shkodër.