STOP-EMISIONI 2(Sezoni 12) 8 Shtator 2026-“Pa droge cmendem, kur pi qetesohem”, e mitura e perdhunuar drogohet e rreh familjaret

Një nënë nga Korça kërkon ndihmë për vajzën e saj 17-vjeçare, e cila, sipas rrëfimit të saj, ka nisur përdorimin e lëndëve narkotike pas një traume të rëndë, që ka përjetuar në moshën 13-vjeçare. Nëna tregon, se vajza ka denoncuar, se është përdhunuar nga një bashkëmoshatar dhe se autori, pas përfundimit të procesit, po vuan dënimin në institutin e të miturve në Kavajë.Sipas nënës, ngjarja ka ndikuar rëndë në gjendjen psikologjike të vajzës. Me kalimin e kohës, 17-vjeçarja është bërë përdoruese e lëndëve narkotike dhe situata brenda familjes është rënduar. Ajo ka pasur episode dhune ndaj gjyshërve dhe së fundmi edhe ndaj nënës. Familja kërkon, që vajza të marrë trajtim dhe të rehabilitohet.Në një bisedë me “Stop”, e mitura pranon përdorimin e kokainës dhe flet për konfliktet e vazhdueshme me familjen. Ajo pretendon, se mungesa e dashurisë prindërore dhe dhuna e ushtruar nga babai, kanë ndikuar në gjendjen e saj. Vajza thotë, se ka qëndruar disa ditë larg shtëpisë nuk dëshiron të jetojë më me familjen.Ajo pranon, se ka ushtruar dhunë ndaj gjyshërve, ndaj të cilëve, është vendosur urdhër mbrojtjeje. Një prej deklarimeve më shqetësuese, është, kur 17 vjecarja thotë, se nuk heq dorë nga droga, pasi vetëm në këtë mënyrë qetësohet.“Stop” u interesua edhe pranë strukturave shëndetësore në Korçë për mundësinë e trajtimit. Në spital u bë me dije, se për personat mbi 14 vjeç ekziston shërbimi toksikologjik dhe se pacienti duhet të paraqitet fillimisht në urgjencë, ku mjeku toksikolog vepron sipas protokollit.Nga ana tjetër, në shkallë vendi, mundësitë për trajtimin e personave të varur nga droga janë të kufizuara, për të mos thënë inekzistente.Psikologia Gejsi Anamali analizon faktorët që mund ta kenë çuar vajzën drejt përdorimit të lëndëve narkotike dhe thekson nevojën për ndërhyrje të koordinuar të familjes, psikologëve, mjekëve dhe institucioneve.

Nis sot sesioni i ri parlamentar, pas pushimeve të verës. Rikthimi i deputetëve në Kuvend vjen një ditë pas pushimit zyrtar me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.Edhe kjo ditë u shoqërua me tension në sallën e të zgjedhurve dhe protesta në rrugë, që vijojnë prej më shumë se 100 ditësh. Një video, thuajse komike, tregon, sesi ushtrohet një kontroll fizik në hyrje të një eventi, ndërsa ata, që e kalojnë kontrollin shihen me armë zjarri në krah.

Bardhyle Beledi tregon, se humbi bashkëshortin në vitin 2021, si pasojë e një aksidenti rrugor në Tiranë. Në momentin e aksidentit, bashkëshorti i saj po lëvizte me motor, ndërsa në aksident u përfshi edhe një automjet.Pas përfundimit të procesit penal, drejtuesi i automjetit u shpall fajtor për aksidentin.Në vitin 2022, Prokuroria e Tiranës urdhëroi kthimin e motorit, që ishte administruar gjatë hetimit si provë materiale. Bardhyle Beledi, kërkon kthimin e motorrin, si kujtimi i vetëm, që i ka mbetur nga i shoqi i ndjerë. “Stop” kontaktoi me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, që deklaroi, se nuk rezultonte asnjë kërkesë për kthimin e motorrit.Pas interesimit tonë, mjeti iu kthye më në fund Bardhyle Beledit, 4 vjet pas daljes së urdhrit për kthimin e tij, ndërsa familja Beledi vazhdon të presë edhe përfundimin e procesit të dëmshpërblimit.

Të Fundit