Në Qershor të vitit 2011 u ndërtua shkolla “Dom Nikollë Kaçorri” në Paskuqan, për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor, që nisi më 11 Shtator. Por që prej këtij momenti e deri më sot, në këtë shkollë 9-vjeçare nuk ka vënë më dorë njeri për ta rregulluar. Mungon energjia elektrike, ngrohja dhe si të mos mjaftonin këto, xhamat e dritareve janë të thyera.
“Ne nuk kemi ngrohje, drunjtë i kemi siguruar vetë. Nuk na ka sjellë asnjë ndihmë bashkia”, u shpreh një nxënëse.
Një tjetër tha: “Ne kërkojmë që xhamat të rregullohen, ambienti të rregullohet, të vijë energjia se nuk shikojmë në dimër dhe kemi shumë ftohtë se xhamat janë të thyera!”
Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me drejtorin e shkollës 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri”, Ali Sidën, për mungesën e infrastrukturës, energjisë elektrike dhe sistemit të ngrohjes.
“Kam bërë zakonisht shkresa zyrtare, jam interesuar pse s’ka energji elektrike. Përgjigjia e tyre është që duhet ta bënte firma, por s’e ka bërë. Normalisht, dihet që dikush e ka marrë në dorëzim shkollën, pushteti vendor e merr. Si u merrka një shkollë e re pa një firmë dhe një vulë zyrtarisht. Që nga ai moment e deri sot, gjatë gjithë kohës kam bërë kërkesa të vazhdueshme për t’u pajisur shkolla me energji elektrike.”
Drejtori Sida u shpreh se në mungesë të energjisë elektrike, shkolla 9-vjeçare është pajisur me sobë dhe dru nga Komuna, por prej 2 vitesh është ndërprerë.
Ai e përmbylli duke thënë: “Dua t’i bëj thirrje Bashkisë Kamëz që të marrë të gjitha masat që të paktën këtë vit, stinën e dimrit ta kalojmë me dru. Jemi e vetmja shkollë pa sistem energjie elektrike dhe ngrohje”.
Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Bashkisë Kamëz për të marrë një informacion se përse kur u ndërtua shkolla “Dom Nikollë Kaçorri” nuk kishte rrjet elektrik.
Drejtori për Arsimin, Gani Berisha tregoi se prej 2 vitesh kjo shkollë ka kaluar në administrimin e Bashkisë Kamëz, ndaj dhe janë në dijeni të situatës së saj.
“Kam vënë në dijeni Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ndoshta pak me vonesë, por i ka kryer të gjitha detyrimet që Bashkia Kamëz ka. Që më datë 09.02.2017 ka aplikuar pranë OSHEE-së për të lidhur një kontratë për këtë shkollë. Më 06.04.2017 është bërë edhe likujdimi i faturës së kontratës. Bashkia ka mbyllur procedurat e saj, i takon OSHEE-së që të zgjidhë këtë problem!”
Drejtori i Komunikimit OSHEE, Ardian Kola tha se kjo është një histori 7-vjeçare që është shkaktuar nga mungesa e rrjetit elektrik, pasi para se të ndërtohej duhej të ishte përfshirë linja, nga ku do të merrej energjia elektrike. Sipas ligjit, të gjitha shpenzimet për kabinën, rrjetën e tensionit, shtyllat etj, duhet të mbuloheshin nga Bashkia, por kjo e fundit nuk ka patur mundësi financiare për t’i paguar.
“Bashkia ka bërë vetëm një pagesë për matësin e energjisë elektrike, por këtu po flasim për rrjetin që është në distancë 800 metra, i cili është detyrim i bashkisë sipas rregulloreve dhe ligjeve të miratuara. Ne kemi marrë një vendim që këtë investim ta bëjë OSHEE për të mos lënë shkollën dhe nxënësit pa energji elektrike, por edhe banorët që jetojnë aty pranë”.
Hitparade i absurdit shqiptar.
Një kamion qarkullon me një ngarkesë të madhe, sa duket sikur po transporton pallat. Ambientet e portit të Durrësit janë të ndotura nga mbetjet. Kamionët me dru të prerë qarkullojnë lirisht në urën e Shkodrës. Këto dhe situata të tjera transmetohen dhe komentohen në studion e emisionit “Stop”, në rubrikën “Hitparade i absurdit”.
Lushnje, avokatja mashtruese që humbi gjyqin, i kthen paratë qytetares.
Më datë 22 Maj, emisioni “Stop” transmetoi rastin e Urani Dhimës, e cila tregoi sesi u mashtrua nga avokatja Alma Bala, që e pajtoi për një problem pronësie.
Urania pajtoi avokaten Bala për të ndjekur procesin gjyqësor të një prone, por kjo e fundit e humbi gjyqin edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë, edhe në atë të Apelit. Avokatja i kërkoi 83.500 lekë me pretendimin se gjyqi është fituar dhe letrat ndodheshin në Hipotekë për të përfituar certifikatën e pronësisë.
Emisioni ”Stop” u rikthye në Lushnje për t’i kërkuar avokates mashtruese t’i kthejë paratë qytetares.
“Meqënëse Urania nuk do që unë të merrem më me këto punë, deri nesër do t’ia kthej. Mos ki merak! Jemi në këto kushte, kështu që ju mirëpres nesër!”, u shpreh Alma Bala.
Avokatja premtoi t’ia kthejë ditën e nesërme, por për surprizën e Uranisë, ia çoi në shtëpi brenda ditës.
“I solli lekët avokatja. Hajde shikoji po s’besove! Po të mos kishit qenë ju, unë këto lekë nuk do t’i merrja dhe puna ime s’dihet se kur do të mbaronte”, u shpreh e lehtësuar Urania.
Çfarë transmetoi emisioni “Stop” në datën 22 Maj lidhur me mashtrimin e avokates Alma Bala:
“U interesova, mora një avokate, Alma Balën. Ajo mori përsipër të bënte gjyqin. Vazhdoi gjyqi në Lushnje, mbaroi dhe e hodhën në Vlorë. Atje ka mbaruar në muajin Janar 2017. Avokatja mua më thoshte që nuk ka mbaruar. Më thotë në muajin Maj që gjyqi mbaroi, ka ardhur vendimi dhe tani do regjistrohen te Hipoteka. Më thotë që duhen 835 mijë Lekë (të vjetra) për këto letra, 500 mijë Lekë për regjistrim ndërtese, 300 mijë Lekë për tokën dhe 5 mijë Lekë për atë që do bënte letrat. Ia jap lekët se e besova, kur një ditë ajo ma mbyll derën dhe nuk më pret më”, rrëfeu denoncuesja.
Ndaj dhe Urani Dhima vendosi të shkonte të interesohej vetë për ecurinë e çështjes gjyqësore, por u përball me një të vërtetë të hidhur.
Më datë 09.12.2015, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit më datë 25.01.2017, kishin vendosur rrëzimin e padisë, por avokatja e kishte gënjyer dhe i kishte marrë para për t’i regjistruar pronën në Hipotekë, një veprim që nuk mund të kryhej, pasi binte në kundërshtim me vendimin e gjykatave.
“Këtë dua të di unë! Pse më ka gënjyer për një vit të tërë?!”, u shpreh e shqetësuar denoncuesja.
Urani Dhima u përball me avokaten dhe nëpërmjet kamerës së fshehtë të emisionit “Stop” provoi që kjo e fundit vijonte ta gënjente.
Qytetarja – Çfarë do bëjmë, në dreqin do vejë?!
Avokatja Alma Bala – Po ik tani! Mbarova unë ato që kisha për të bërë, të miat, se tani hallet nuk mbarojnë, po të paktën…
Qytetarja – Mbarojnë, po kur?
Avokatja Alma Bala – Mbarojnë, domethënë këtu jam unë. Do të marr unë nesër në telefon. Këtu jam unë, nuk lëviz më!
Qytetarja – O, Alma! Unë nuk kam më durim!
Avokatja Alma Bala – Ik tani! Nesër do të marr vetë në telefon.
Qytetarja – Mos më thuaj ik!
Avokatja Alma Bala – Po ik tani! Unë kam respekt për ty, që të them ik!
Qytetarja – Dale, të llafosemi 5 minuta!
Avokatja Alma Bala – Po, po!
Qytetarja – Ose 2 minuta, sa të llafosemi! Më the për vendimin e gjyqit, që e kam marrë.
Avokatja Alma Bala – Tani, të gjitha këto i ke të bëra, i kam unë dosjet në shtëpi, ti më ke gjetur dy herë duke qenë në zyrë. Do të marr vetë në telefon edhe kaq! E kam vetë dosjen në shpi.
Qytetarja – Puna e gjyqit, qysh ishte?
Avokatja Alma Bala – Është e mbaruar, po ik, se kam dosjen në shpi tashi!
Qytetarja – Unë kam marrë vetë vendimin e gjyqit. Vendimi i gjyqit ka mbaruar. Nuk kam fituar. Pse më gënjen?
Avokatja Alma Bala – O, ti, do ikësh tani?!
Qytetarja – Po pse më gënjeve, se ke marrë gjithë ato lekë? O Almaa…
Avokatja Alma Bala – O Urani, do ikësh tani?!
Qytetarja – Pse m’i ke marrë lekët?
Avokatja Alma Bala – O Urani! Nuk të merrem, ik tani do marrësh ato të hipotekës, që të duhet dhe rri e qetë!
Qytetarja – Po kur do t’i marr unë ato?
Avokatja Alma Bala – Ja, do të thërras unë nesër!
Qytetarja – Kur do më thërrasësh?
Avokatja Alma Bala – Nesër, do të thërras unë të thashë! Nesër! Unë tani sa erdha. Nesër do të thërras unë edhe do ta shikosh Hipotekën, e ke marrë apo s’e ke marrë, se s’të merr njeri… Lërë moj ti se unë ça ta kam bërë ti tani… Kam vajt unë para teje, rri e qetë se do të marrë unë të thashë, do të marr unë më vonë thash. Do të marrë unë thash ça ke e kam marrë unë përsipër këtë, do ta çoj unë deri në fund.
Duke u bazuar në fjalët e avokates Alma Bala, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnje për të pyetur nëse ka nisur procedura për certifikatën e pronësisë. Juristja e këtij institucioni, Elfrida Bilbili deklaroi se nuk ka asnjë aplikim në emër të zonjës Dhima, apo përfaqësueses së saj ligjore.
Por avokatja Alma Bala, e pyetur nga gazetarja, u shpreh se e kanë humbur procesin gjyqësor, ndaj dhe nuk ka paraqitur dokumentet në ZVRPP. Ajo gjithashtu mohoi të ketë marrë para nga denoncuesja, pasi këmbënguli në faktin që gjyqet i kanë humbur.