Jemi në Vlorë për problemin e mosshpërndarjes së bursave për nxënësit e sistemit parauniversitar, si për ekselentët ashtu edhe për ata, që përfitojnë nga kriteri ekonomik. Një nënë tregon, se kishte aplikuar për bursën e djalit të saj gjimnazist dhe, megjithëse rezultoi fitues që në shkurt 2026, pagesa nuk ishte dhënë ende, kur familja priste ato para për nevojat e fëmijës.Në Drejtorinë e Arsimit në Bashkinë Vlorë, përgjegjësja Fiona Çukani shpjegon, se ky institucion merret vetëm me mbledhjen e dokumenteve dhe shpalljen e fituesve, ndërsa pagesat kryhen nga Drejtoria e Financës. Sipas drejtorit të finanës Hiqmet Haxhaj, bashkia kishte dërguar kërkesën për fond pranë Ministrisë së Financave. Në total janë 463 nxënës përfitues nga shkollat 9-vjeçare, gjimnazet dhe shkollat profesionale.Gjatë përballjes, drejtori i Financës deklaroi, se lista për bursat e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve ishte kaluar që më 18 mars. Por kjo u mohua nga Fiona Çukani, e cila tha se nuk kishte marrë asnjë informacion nga drejtori i Financës.Ndërkohë, rezultoi, se shkresa për fondet e bursave të shkollave profesionale ishte nisur në 11 maj drejt Ministrisë së Ekonomisë. Në fund, së bashku me qytetaren, “Stop” u drejtua në postë, ku u konfirmua se lista e përfituesve kishte mbërritur jo më 18 mars, por në fund të prillit. Në këtë mënyrë, pas shumë peripecive, qytetarja arriti të marrë këstin e parë të bursës.
Në një pyetësor me qytetarët për dilemën, nëse do të ishin në rrezik mami, babi, burri, gruaja, vjehrra apo 200 milionë euro, kë do të shpëtonit, shumica e qytetarëve zgjodhën familjarët më të afërt. Por kur pyetja u fokusua te zgjedhja mes vjehrrës dhe 200 milionë eurove, përgjigjet u bënë edhe më pikante.Një burrë tha, se do të shpëtonte gruan dhe jo paratë. Ndërsa një tjetër tha, se do të zgjidhte paratë para vjehrrës. Përgjigjet spontane krijuan situata humori dhe argëtimi.
Afërdita Bejleri tregon, se ka blerë një apartament në vitin 2008 me kontratë shitblerjeje, por prej vitesh nuk arrin ta certifikojë pronën. Sipas Kadastrës, asaj i duhet certifikata familjare e ish-pronarëve për vitin 2006. Njërin prej bashkëpronarëve ka arritur ta gjejë, ndërsa tjetrin jo, pasi ndodhet në burgim të përjetshëm dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me të.Nga verifikimet rezultoi, se apartamenti ka kaluar me procedurë legalizimi, pasi pallati ishte braktisur. Juristi i Kadastrës, Mariglen Loca, shpjegon, se certifikata familjare është dokument i domosdoshëm, për të vërtetuar gjendjen civile të shitësit në momentin e shitjes së apartamentit dhe pa të, procedura nuk mund të vazhdojë.Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, u kontaktua Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe u gjet një zgjidhje: qytetarja do të pajiset me autorizim, për të takuar ish-pronarin në burg, me qëllim hapjen e një llogarie në e-Albania dhe sigurimin e certifikatës familjare të nevojshme për certifikimin e apartamentit.




