STOP-EMISIONI 186 (Sezoni 9) 21 Maj 2024- “Më nxinë syrin e më dhanë..”, policët shembin në dru të riun, që i parakaloi

Jemi në rrugën transballkanike në hyrje të qytetit të Vlorës me të riun Marsido Alushaj. Ai tregon, se në 10 maj 2024, ka parakaluar me bicikletë një makinë civile, por qytetarët, që ishin në të, i kanë ndërprerë rrugën duke i kërkuar llogari, se pse i ka sharë. Marsido thotë, se as që ka sharë njeri, por ata, që rezultuan policë të veshur civilë, e futën në makinë dhe e dhunuan. Sipas Marsidos, ata janë identifikuar vetëm pasi e kanë shoqëruar në drejtorinë e policisë në Vlorë. Në këto ambiente policët i kanë ofruar shishen e ujit, që t’i ulej enjtja e syrit. Tre punonjësit e policisë Granit Lamaj, Kristi Pazaj dhe Granit Peca e kanë kallzuar Marsidon për fyerje.Ne iu drejtuam me kërkesë zyrtare drejtorisë së policisë Vlorë, ku sigurisht nuk u pranua dhuna. Madje në përgjigje pretendohet, se Marsido ka qenë i agravuar dhe shoqërimi është bërë vetëm për marrjen e gjeneraliteteve, akt pas të cilit, ai është lënë i lirë.

Qerem Merdani, banues në fshatin Buzmadh, njësia administrative Cakran, Fier. Bashkëshortja e Qeremit është e verbër dhe për këtë merr kemp. Si cdo herë Qeremi u paraqit në muajin mars, në zyrën e postës shqiptare, për të tërhequr kempin dhe pa se kishte 2400 lekë të reja më pak. Ky problem kishte prekur edhe shumë banorë të tjerë të fshatit të cilët kanë statusin e verbërisë. Qeremi u drejtua te shërbimi social në njësi, ku i thanë, se duhet të dorëzonte kontratën e energjisë elektrike. E dorëzoi, por në muajin prill sërish nuk i kaloi pagesa.Në zyrën e postës shqiptare, punonjësi thotë, se ky problem ka prekur mbi 30 persona me statusin e verbërisë, por kjo ka ardhur si pasojë e veprimeve të shërbimit social në njësinë administrative Cakran.Në zyrat e njësisë Cakran nuk shpjegojnë, se pse nuk kanë kaluar pagesat e plota në muajin prill, por përsërisin, se do të kalojnë këtë muaj.

Pak ditë më parë, në 17 maj, u mbajt aktiviteti i quajtur “Color festival”.Por festa u prish disi nga shiu i mbrëmjes. Ne ishim në këtë aktivitet, dhe të rinjtë pjesëmarrës treguan me batuta, sesi u ndjenë në këtë atmosferë.

Të Fundit