STOP-EMISIONI 184(Sezoni 11) 20 Maj 2026-“Per inat s’e leshoj”, skandali i sherrit per pronen mes kusherinjve, vendimi pa harta

Familja Peti nga Tirana denoncon në emisionin “Stop” një konflikt të rëndë pronësie, ku pretendohet, se përmes një skeme me kontrata qiraje, dokumente të dyshimta dhe një vendim gjykate për masë sigurie, u është marrë padrejtësisht një pronë rreth 2000 m² në zonën e Liqenit të Thatë. Në qendër të akuzave janë Xhemal Shima, kushëriri i familjes, Sulejman Peti, si edhe përmbaruesi privat Baftjar Nela.Sipas denoncuesve, historia nis në vitin 2020, kur familja Peti ia dha me qira pronën djalit të Xhemal Shimës për një periudhë 5-vjeçare, me qëllim përdorimin e saj si parkim privat. Pas përfundimit të kontratës, familja pretendon, se qiramarrësi refuzoi të largohej nga prona. Në këto kushte, sipas tyre, Xhemal Shima lidhi një kontratë të dytë me Sulejman Petin, kushëririn e familjes, duke përdorur dokumente të tjera pronësie, konkretisht një AMTP të përfituar nga ligji 7501.Denoncuesit pretendojnë, se prona në fjalë nuk ka qenë kurrë tokë bujqësore dhe nuk është trajtuar asnjëherë sipas ligjit 7501, ç’ka sipas tyre, e bën të pavlefshëm dokumentacionin e përdorur për kontratën e dytë. Në pamjet me kamera të fshehtë, Sulejman Peti dhe djali i tij dëgjohen duke pranuar nën zë, se prona nuk u përket atyre, por familjes denoncuese. Edhe vetë Xhemal Shima, sipas materialit filmik, pranon, se toka është e familjes Peti dhe se veprimet e tij kanë ardhur si reagim, pasi kontrata e qirasë nuk iu rinovua. Ai pretendon se, falë influencës që ka, do të arrijë të pajisë Sulejman Petin me certifikatë pronësie, ndërsa pranon gjithashtu, se ka bërë disa kallëzime penale për të ushtruar presion ndaj denoncuesve. Në tentativën e tretë, me ndërhyrjen e policisë, masa e sigurimit u ekzekutua mes përplasjesh dhe tensionit të fortë, ndërkohë që denoncuesit këmbëngulin, se edhe në atë moment mungonte një hartë e saktë me kufijtë realë të pronës së pretenduar nga Sulejman Peti.

Pranë zonës së njohur si “Nisharaku” në Tiranë, ndërtimi i ambienteve të reja të Ambasadës së Kinës, ka sjellë shqetësime për qytetarët, për shkak të ngushtimit të trotuarit. Hapësira e dedikuar për këmbësorët është reduktuar ndjeshëm, duke e bërë të vështirë, kalimin e personave me aftësi të kufizuara, apo nënave me karroca fëmijësh.Gjatë verifikimeve në terren, rezultoi, se gjerësia ndryshon nga një pjesë në tjetrën dhe në zona të caktuara ngushtohet ndjeshëm për shkak të murit rrethues të ambasadës, pemëve dhe tabelave rrugore. Banorët e zonës shprehen, se problematika duhej të ishte parashikuar përpara ndërtimit të murit rrethues të ambasadës dhe kërkojnë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse, për ta zgjidhur situatën.

Arben Myzeqari denoncon një histori të gjatë përplasjesh ligjore dhe administrative në Fier, ku pretendon se, megjithëse pagoi rreth 113 milionë lekë për blerjen dhe legalizimin e një prone përmes ALUIZNI-t, sot ka mbetur pa pronën dhe pa paratë e tij. Sipas tij, gjithçka nisi në vitin 2005, kur familja bëri vetëdeklarimin e objektit, një tavernë në Fier. Më pas, në vitin 2011, ai nënshkroi kontratën me ALUIZNI-n dhe kreu pagesën për kalimin e pronës në emrin e tij, duke pritur legalizimin përfundimtar dhe certifikatën e pronësisë.Por, ndërsa procesi ende nuk kishte përfunduar, një palë tjetër, që pretendonte pronësinë e truallit, ngriti padi për lirimin dhe dorëzimin e pronës. Sipas Myzeqarit, çështja u shqyrtua në të tre shkallët e gjyqësorit dhe gjykatat nuk i dhanë të drejtë palës paditëse, duke lënë në fuqi pretendimin e tij mbi objektin.Megjithatë, konflikti mori një tjetër kthesë në vitin 2018, kur objekti u shemb me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Fierit. Pas prishjes së ndërtesës, në zonë u dha leje për një ndërtim të ri, ndërsa Myzeqari pretendon, se ai nuk mori asnjë kompensim dhe nuk iu kthyen paratë e paguara për legalizimin. Ai thotë, se ka depozituar kallëzime penale ndaj zyrtarëve, që i konsideron përgjegjës për këtë situatë dhe se projekti i ndërtimit është pezulluar pikërisht për shkak të këtyre procedimeve. Prej vitesh ai endet nëpër gjykata dhe institucione, ndërsa ende nuk ka marrë një përgjigje, se çfarë ndodhi me pronën dhe me shumën, që pagoi.

Të Fundit