Emisioni “Stop” i është drejtuar Maliqit, ku është djegur Pallati i Kulturës që në 14 Dhjetor të vitit 2016 dhe që ende nuk është restauruar. Nënkryetari i Bashkisë së Maliqit, Vasillaq Cinoku u shpreh se është folur me një studio në Tiranë për t’ju përmbajtur projektit rus.
“Ne po i përmbahemi projektit rus. Për fat të mirë projekti i kinemasë ishte depozituar dhe ruhej nga bashkia jonë. Ne për këtë projekt kemi kontaktuar me studion “Dean” në Tiranë, e cila është në përfundim të projektit. Ky projekt ripërtërihet në krahasim me atë që ka qenë, duke patur si synim që të jetë një pallat që të jetë me parametrat e kohës, duke i shtuar edhe Teatrin e Kukullave”, tha nënkryetari Cinoku.
Ai tregoi se pas përfundimit të projektit, pushteti lokal do t’i drejtohet qeverisë dhe Ministrive përkatëse për financimin e Pallatit të Kulturës, që shkon në vlerën 180 milionë Lekë të reja. Por se kur do të nisë rikonstruksioni nuk dihet ende.
Ndërsa Dhimitër Orgocka, emrin e të cilit mban dhe ky institucion kulturor, rrëfeu me nostalgji detaje nga Pallati i dikurshëm i Kulturës dhe bëri thirrje për rindërtimin e tij.
“Janë ndonjëherë disa ngjarje që do, s’do, të lejnë pa mend. Kështu më ndodhi edhe mua atë mëngjes kur më thirrën pa gdhirë dhe më thanë që po digjet Pallati i Kulturës”, u shpreh i emocionuar Orgocka.
Artisti i Merituar tregoi se institucioni kulturor ishte në gjendje shumë të mirë dhe me kushte të favorshme për aktivitetet artistike. Ndërsa tani ata nuk kanë se ku të zhvillojnë provat dhe detyrohen t’i kryejnë në lëndinën para Pallatit të Kulturës ose brenda saj, pavarësisht faktit që është e rrënuar.
“Më besoni që fjala ime është si një jehonë e të gjithë maliqarëve që kjo të bëhet. Tani unë jam plak dhe pallati do bëhet një ditë, nuk ka diskutim, por për ne pleqtë të bëhet sa më parë të jetë e mundur se të rinjtë mund të presin më gjatë, ndërsa ne nuk presim dot më shumë!”, e përmbylli apelin e tij aktori i përlotur.
Llogaridhënia, sipas qytetarëve e në versionin “Ferma e kafshëve”.
Emili Murataj është vajza e vogël, që mbërthehet para ekranit, kur nis emisioni “Stop”.Këto ditë kryeministri Rama dhe ministrat e qeverisë së tij kanë dalë në takime, në atë që e kanë quajtur llogaridhënie. “Stop” sjell një version me filma vizatimorë për këtë fushatë, ndërsa Renaldo ka pyetur qytetarët, për kërkesat tyre ndaj kabinetit qeveritar.
Kavajë, ndihma e humanizëm për 12 vjecarin Amri Popoi.
Disa ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi historinë e trishtë të 13-vjeçarit Amri Popoi, i cili pavarësisht dhunës së vazhdueshme nga i ati, vijon të jetë një nxënës ekselent.
Ai duhet të ishte në klasën e pestë apo të gjashtë, por është në klasën e dytë në shkollën 9-vjeçare “3 Dëshmorët”, pasi për 4 vite rresht ai, vëllai i sëmurë dhe e ëma janë mbajtur të mbyllur e të lidhur nga i ati, që është i dhunshëm dhe me probleme mendore.
Shokët dhe shoqet e klasës i festuan atij ditëlindjen e 13-të dhe i dhuruan një biçikletë, duke e lumtuar Amrin, që është përballur me shumë vështirësi.
Duke falenderuar emisionin “Stop” për transmetimin e këtij rasti, mësuesja e tij, Klorida Teferiçi u shpreh: “Keni ndryshuar mimikën dhe shprehjen e fytyrës së këtij fëmije”.
Emisioni “Stop”, “Fundjava ndryshe” dhe shumë qytetarë kanë siguruar të holla, elektroshtëpiake dhe ushqim për familjen Popoi, si dhe stërvitje në një skuadër futbolli falas për Amrin.