STOP-EMISIONI 175(Sezoni 11) 7 Maj 2026-“Mendojne, se e bejme per leke.., qytetaret ne spital, detyrohen, te blejne ilacet vete

Në Spitalin e Këlcyrës denoncohet një situatë problematike me mungesën e medikamenteve bazë, ku pacientët detyrohen t’i blejnë vetë në farmaci edhe barnat më të domosdoshme. Gjatë një vizite të kryer në ambientet e spitalit, një pacient paraqitet me gjendje të fikti dhe mjekja vendos t’i bëhet një glukozë 5%, ndërsa njëkohësisht kërkon, që familjarët të blejnë në farmaci “Omeprazol” dhe “Ringer”, pasi spitali nuk i disponon. Mjekja pranon, se mungesat janë të vazhdueshme për shkak të buxhetit të kufizuar, duke deklaruar, se fondet që i vijnë institucionit janë të pamjaftueshme për nevojat e përditshme.Infermierja konfirmon gjithashtu mungesën e preparateve të nevojshme, ndërsa në farmaci rezulton, se disa nga ilaçet nuk gjenden. Kjo bën, që pacientët të rikthehen sërish me barnat e blera privatisht për të marrë trajtimin. Personeli shpreh shqetësim për mungesën e furnizimeve dhe buxhetin e ulët, duke theksuar, se fondet nuk mbulojnë nevojat vjetore të një institucioni shëndetësor. Përmendet gjithashtu mungesa e barnave jetike si antivipera, të cilat, sipas stafit, kanë kosto të lartë dhe shpesh nuk përdoren për shkak të skadimit, ndërsa rastet emergjente mbeten të pambuluara.

Prej rreth një muaji, banorët në rrugën “Kostandin Kristoforidhi”, pranë pallatit “Emi” në Tiranë, denoncojnë një problem të vazhdueshëm me ujërat e zeza, që krijojnë ndotje të rëndë në zonë.Sipas tyre, situata është raportuar disa herë pranë Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së, por deri tani nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit. Banorët shprehen të shqetësuar për gjendjen e krijuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për rehabilitimin e kanalizimeve në zonë, pasi situata po përkeqësohet dita-ditës.

Disa herë kemi transmetuar denoncimet ndaj ndërtuesit Sabri Shera, administrator i shoqërisë “AA Konstruksion”. Në vitin 2015 ai i bëri ofertë qytetarit Shpëtim Mëniku se, në këmbim të vendit ku kishte shtëpinë , do ndërtonte pallat dhe kur të përfundonte objekti, Shpëtimi, si pronar i truallit, do të pajisej me një apartament në katin e tretë, 55 m2.Palët lidhën kontratë dhurimi në 2015-ën, ku ndërtuesi ishte në cilësinë e dhuruesit, kur ende nuk e gëzonte objektin. E korrigjoi në vitin 2019, kur lidhi kontratë shkëmbimi, ku pasi të mbaronte objekti, Shpëtimi do të merrte me celsa në dorë apartamentin e premtuar. Por ndërtuesi, jo vetëm që nuk iu përmbajt kësaj kontrate, por e kishte shitur disa herë apartamentin. Lidhur me këto denoncime, Gjykata e Shkallës së parë e dënoi Sherën me 6 vjet burg si fillim, pastaj dënimi u reduktua në 3 vjet, por në fund u katandis në 3 vjet shërbim prove.Arben Llangozi, avokat i qytetarëve, shprehet, se ky dënim është qesharak, pasi vepra penale e tij, është në rrethana rënduese.

Të Fundit