STOP-EMISIONI 171(Sezoni 11) 1 Maj 2026-Skandal në QSUT, mjekja rikualifikohet në shkelje ligji, hiqet kandidatja ekselente

Në 13 shkurt 2026, në QSUT u shpall një vend vakant për mjek nefrolog në Spitalin Pediatrik. Mes tre kandidatëve, që aplikuan, ishte edhe mjekja Greta Haxhi, e cila në atë kohë ushtronte detyrën si pediatre në Spitalin Bashkiak të Kavajës. Fillimisht, ajo u skualifikua nga gara, pasi rezultonte në marrëdhënie pune me një institucion publik shëndetësor, duke mos përmbushur një nga kriteret bazë të aplikimit.Megjithatë, brenda pak ditësh, Greta Haxhi u rikualifikua në mënyrë të paqartë dhe vijoi garën, duke marrë pjesë edhe në intervistën me gojë gjatë muajit mars 2026. Verifikimet treguan, se gjatë gjithë kohës së aplikimit, ajo ka qenë ende e punësuar në Spitalin e Kavajës. Madje, nga të dhënat zyrtare rezulton, se shkëputja e marrëdhënieve financiare është bërë më 18 shkurt 2026, pikërisht gjatë fazës së aplikimit dhe jo përpara saj, siç kërkohet nga rregullat.Pavarësisht këtij fakti, Greta Haxhi është pranuar dhe tashmë punon si pjesë e stafit në QSUT. Pyetjeve drejtuar institucionit për këtë rikualifikim në kundërshtim me kriteret, QSUT i është përgjigjur në mënyrë të përgjithshme, pa dhënë sqarim konkret për shkeljen. Sipas avokatit Klaudi Zholi, ky veprim përbën shkelje të qartë të procedurave, pasi kandidati duhet të jetë i lirë nga çdo marrëdhënie pune që në momentin e aplikimit dhe nuk mund të plotësojë kriteret gjatë procesit.

Rruga e Shëngjergjit është kthyer në një simbol të neglizhencës dhe mungesës së mirëmbajtjes infrastrukturore. Segmentet e dëmtuara janë të mbushura me gropa të mëdha, të cilat prej kohësh nuk janë riparuar, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke rritur rrezikun për drejtuesit.Ajo, që e bën situatën edhe më ironike, është fakti, se këto gropa, janë mbushur natyrshëm me dhe dhe kanë filluar të mbijnë lule. Aty, ku duhet të kishte asfalt, tashmë ka “gjelbërim”.

Muharrem Toska, 74 vjeç, iu drejtua emisionit “Stop” për ndihmë, pasi vuante nga katarakti në të dy sytë dhe kishte humbur plotësisht shikimin në syrin e djathtë. Problemi e kishte prekur prej vitesh, duke i vështirësuar jetën e përditshme. Pas ndërhyrjes së emisionit dhe konsultave mjekësore, ai u fut me urgjencë në operacion për heqjen e perdes së syrit, i cili rezultoi i suksesshëm. Muharremi dhe vajza e tij falënderuan publikisht emisionin “Stop”për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë.

Të Fundit