STOP – EMISIONI 148 (SEZONI 2)

Nga fotot e Torres Veneziane të Durrësit te koshat e Erion Veliajt.
Disa foto të vjetra nga torrja e shumëpërfolur në Durrës kanë mbërritur në redaksinë e emisionit të sotëm dhe transmetohen në pjesën e parë të programit. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe deputeti Pandeli Majko bëjnë kosh, ndërsa inspektojnë punimet në parkun sportiv Dinamo, duke imituar kështu pikë për pikë kryeministrin Rama.

Katet pa leje dhe loja me letra e gjykata e ndërtueses Nadire Qinami.
Në vitin 2015 firma Brilant Sh.p.k me administratore Nadire Qinamin shkeli me disa kate lejen e bashkisë në një ndërtim në ish-çerdhen 36. Punimet u ndërprenë, pasi INUK i Tiranës konstatoi problematikën me katet pa leje. Kronika e kohës tregon edhe për konfliktin mes zonjës Qinami dhe 12 familjeve, që ishin vendosur aty me autorizim si të pastrehë. Përfaqësuesja e banorëve Jonida Drini me profesion avokate tregon për emisionin “STOP”, se investitorja kishte operuar me një prokurë nga ish-pronari i truallit Kurt Xhepa, që në atë kohë kishte ndërruar jetë.

“Unë jam një ndër familjaret të cilët kemi banuar që prej vitit 1992 në ish-çerdhen 36. Në total në këtë godinë janë strehuar 12 familje. Nëpërmjet një autorizimi të dhënë nga këshilli popullor i lagjes, jemi strehuar dhe më vonë familjet kanë paguar edhe qira. Pra që nga viti 1992 deri në vitin 2013 kanë banuar dhe kanë qenë posedues të ligjshëm. Më vonë paraqitet zonja Qinami, e cila në momentin e lidhjes së kontratës së shitblerjes, që nga Ministria e Financave ka funksionuar mbi bazën e një prokure mbi një person, e cila ka vdekur dhe Kodi Civil e parashikon shumë qartë, që në momentin që një person vdes, prokura bëhët e pavlefshme. I ndjeri Kurt Xhepa ka lëshuar një prokurë bashkë me familjarët e tij dhe si përfaqësuese kanë zgjedhur Nadire Qinamin. Kjo e fundit ka vazhduar sërish me këtë prokurë edhe pas vdekjes së tij.”

Çështja përfundon në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, që fitohet nga INUK. Kjo gjykatë del me këtë vendim:

“Nga ana proceduriale janë respektuar të gjitha urdhërimet ligjore, që kanë të bëjnë me kompetencën e IMT, me formën dhe afatet e përpilimit të vendimit, si edhe me ligjshmërinë e tij. Gjykata çmon se bazuar në kuptimin që i jep Kodi i Procedurave Administrative, akteve administrative, vendimet që përbëjnë dhe objektin e këtij gjykimi vendimi nr. 257, “Për dënim me gjobë” dhe vendimi nr. 5667 “Për prishjen e objektit” janë nxjerrë nga i njejti organ i administratës publike brënda kompetencave të organit administrativ, duke respektuar formën dhe procedurën e parashikuar edhe nga ligji nr. 9780.” 

Po ashtu edhe ALUIZNI e ka përjashtuar nga procedurat e legalizimit dhe kështu vendimi i Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative i dha të drejtë INUK-ut të Tiranës për sa i përket vënies së gjobës dhe prishjes së objektit, por Brilanti Sh.p.k e apeloi këtë vendim dhe Gjykata e Apelit doli në konkluzionin, që të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. 

E rrallë në Pustec, kryetari Themelko i shet makinën e tij bashkisë që drejton.
Në vitin 2008 kryetari i komunës së Pustecit, që tashmë është bërë bashki, Edmond Themelko, i shet makinën e tij personale, bashkisë që drejton prej 10 vjetësh. I pyetur nga “Stop” ai thotë njëherë, që makinën e ka shitur rreth viteve 2003-2004 dhe më pas në vitin 2008. Por Themelko pretendon, se nuk mban mend, se kujt ia ka shitur makinën, që përdor akoma sot e gjithë ditën…?!

Të Fundit