Policia, që duam vs Rama dhe ariu Silva.
Një polic goditet fizikisht nga një djalë, pas ndërhyrjes në një konflikt në qytetin e Vlorës.Një tjetër përfaqësues i uniformave blu godet një fëmijë. Në kryegjyshatën botërore të bektashinjve dhe në të gjithë vendin, u festua dje Sulltan Novruzi. Kryeministri Rama ishte për vizitë në shtëpinë e të ndjerit Baba Reshat Bardhi. Duke bërë humor me fëmijët e shtëpisë, Rama tha, se është bërë si ariu Silva, duke takuar të mitur kudo nëpër Shqipëri.
Alketa Cala, saga e një arsimtareje në fshatrat e Gramshit.
Alketa Çala është një arsimtare me diplomë në Kimi-Biologji, që punon fshatin Porocan 3 orë larg Gramshit. Ajo denoncon në “STOP” kalvarin e padrejtësive, që janë bërë me transferimet e saj të panumërta. Nga fshati Lenie në Shënmërizë e Skënderbegas ka qenë të gjitha eksperiencat e pajustifikuara të Alketës. Madje në një rast Alketa është zëvendësuar nga një arsimtare, që ka studiuar për Zooteknikë dhe që “rastësisht” është kunata e drejtorit të shkollës.
“Kam mbaruar studimet e larta, dega Biologji – Kimi në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në vitin 2007. Po në shtator të vitit 2007 jam rikthyer në vendlindjen time në Gramsh dhe kam filluar punë në një fshat shumë të largët, i quajtur Lenie. Kam punuar për gati 3 vite, pra nga viti 2007 deri në 2009. Më pas më kanë transferuar në një shkollë tjetër në Shënmërizë dhe kam punuar po në profilin tim në lëndën Biologji – Kimi. Pas tre viteve punë, drejtori i Zyrës Arsimore Gramsh, Ramazan Pici më ndërron duke më çuar në një fshat më të largët i quajtur Skënderbegas dhe më zëvendëson me një zonjë që punonte aty, me lëndët e Edukimit Figurativ dhe Muzikor.”
Zybi Karaj, drejtori i shkollës Shëmrizë tregon dokumentacionin e zëvendësueses së Alketës, Sosie Pole, në të cilën del se ajo nuk ka pasur arsimin përkatës për të dhënë lëndën e caktuar. “Mësuesja është emëruar në këtë shkollë në bazë të një diplome, ku ka kryer kursin e plotë në Veterinari dhe këtu ka qenë pa arsimin përkatës, por duke vazhduar Bachelor-in, ne ia kemi vazhduar kontratën asaj dhe më pas ajo ka vazhduar Masterin Profesional dhe në bazë të dokumentacionit ka mbrojtur tezën e diplomës në datën 11.07.2014.
Pra jashtë çdo rregulli?
E vërteta është që kjo mësuese ka qenë me kontratë dhe ka qenë pa arsimin përkatës.”
Të gjitha këto probleme kanë ardhur pas lejes së lindjes së Alketa Çalës dhe nga të dhënat del që Sosie Pole është kunata e drejtorit të shkollës “Xhile Lici” në fshatin Skënderbegas. Vetë Drejtori i kësaj shkolle Shyqyri Pole e pranon që ka bërë një shkelje duke mos e vënë mësuese Alketën në pozicionin që ka pasur para lejes së lindjes, duke i dhënë në ngarkim lëndën e Edukimit Figurativ dhe Muzikor.
Ndërkohë, drejtori i ZA – së Gramsh, Xhevit Dyrmishi pranon, se me rastin e Alketa Çalës ka shkelje, por justifikohet me faktin se problematika është krijuar, kur nuk ka qenë ai drejtor.
Skandali me nxënësin “fiktiv” në shkollën e Skënderbegasit, Gramsh.
Shkolla Xhile Lici në Skënderbegas të Gramshit është shndërruar në cerdhe, që prodhon skandale.” Stop” ka mësuar, se Kristi Muha, është një i ri nga Durrësi, i regjistruar në këtë shkollë, por që nuk ka shkuar atje as edhe një ditë të vetme.Në disa biseda telefonike një mësues dhe dy nxënës të shkollës dhe klasës së Kristit, tregojnë, se nuk e njohin as si fytyrë atë, pasi nuk e kanë parë kurrë.Në një përballje të drejtorit të shkollës Shyqo Pole me drejtorin e ZA Xhevit Dyrmishi, ky i fundit thotë, se do të ishte skandal, regjistrimi i nxënësit fiktiv, që tashmë është emigrant në Gjermani.