Në institucione me diploma false, ose të pushuar e rritur në detyrë…?!
Mediat e huaja shkruajnë, se ekuinoksi pranveror është sot, ose një ditë më herët se zakonisht. Në “Stop” ka mbërritur një denoncim, sipas të cilit,Themistokli Foto, punonjës pranë drejtorisë së shërbimit të transportit rrugor Fier ka dorëzuar një diplomë të falsifikuar me fotografinë e djalit. Vetë Foto thotë, se nuk është e vërtetë dhe premton të sjellë dilpomën origjinale. Por këtë hap nuk e ka ndërmarrë ende. Arben Jorgaqi, është që nga muaji janar këshilltar ligjor në KPK (komisioni i pavarur i kualifikimit). Jorgaqi, që pritet të kontribuojë në procesin e vettingut, rezulton i pushuar dhe përjashtuar nga prokuroria, ku punoi për 10 vjet si OPGJ.
Sarandë, juriste e portit dhe avokate, si e shkel ligjin funksionarja.
Në emisionin “Stop” ka mbërritur një denoncim për juristen e Portit të Sarandës, Noreta Kalcunin, e cila ushtron njëkohësisht edhe aktivitetin e saj si avokate, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin. Madje për këtë, shfrytëzon zyrat e institucionit ku punon.
Noreta Kalcuni është avokate, e regjistruar edhe në QKB me këtë profesion. Më parë ajo ka qenë e punësuar si sekretare në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, për të vijuar më pas si juriste e jashtme në Portin e këtij qyteti, ku ka ndjekur 28 çështje. Por Porti i Sarandës, i përfaqësuar nga juristja Kalcuni, i ka humbur të 28 gjyqet. Prej një viti ajo është emëruar juriste definitive e këtij institucioni, por vijon të ushtrojë profesionin si avokate, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 4 të ligjit numër 9109, ku thuhet:
“Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë njëkohësisht gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike”.
Shpërdorimi i detyrës dënohet nga Kodi i Procedurës Penale, përkatësisht sipas nenit 248, personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër penale, dënohet me burgim deri në 7 vjet dhe me gjobë nga 300 mijë deri në 1 milion lekë.
Gazetari i emisionit “Stop” shprehet se gjatë investigimit ka rezultuar se juristja e Portit të Sarandës, ka vijuar aktivitetin privat pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, duke u caktuar si avokate e duke u paguar për një punë të cilën e ka të ndaluar. Ai iu drejtua zyrës së saj private, por askush nuk u përgjigj, ndaj dhe e kërkoi avokaten në port nëpërmjet një “klienti” me kamera të fshehtë.
Klienti – Përshëndetje! Si kalove? Avokate Noreta Kalcuni, ka ardhur?
Roja i Portit – Si, si?
Klienti – Noreta Kalcuni, juristja.
Roja i Portit – Avokatja?
Klienti – Ë…
Roja i Portit – Nuk e di. Pse?
Klienti – Jo, për t’i dhënë një porosi.
Roja i Portit – E ke avokate ti?
Klienti – Po, po! Po i bie në telefon, por s’po e gjej dot. Më thanë: Shko tek porti!
Roja i Portit – Nuk është këtu.
Klienti – S’ka ardhur sot ëë…?
Roja i Portit – Ik andej nga gjykata, mos e takosh!
Gazetari i emisionit “Stop” e telefonoi funksionaren nën petkun e qytetarit, duke pretenduar se ka një çështje prone. Noreta Kalcuni i la takim në zyrën e saj në Portin e Sarandës, por kur u përball me gazetarin tha se nuk e ushtron profesionin si avokate gjatë orarit zyrtar të institucionit publik. Ndërsa pas insistimit të gazetarit, u shpreh se mund të ketë ndodhur ndonjëherë.
Gazetari – Si je? Si kalove?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Mirë! Si je ti?
Gazetari – Genci Angjellari nga Tv Klan, Emisioni “Stop”.
Juristja e Portit N. Kalcuni – Ëëëë!
Gazetari – Kemi një denoncim të mbërritur për ju, në lidhje me profesionin që bëni si avokate dhe që jeni e punësuar këtu në port. Është e lejueshme?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Unë nuk jam avokate për arsye se 8 me 4 jam në punë. Pas orarit 4 mund të punoj.
Gazetari – Ne kemi investiguar dhe në Gjykatë, kemi marrë ato avokatët, që janë kryesisht, e ke emrin në listë…
Juristja e Portit N. Kalcuni – Sepse licenca nuk është mbyllur.
Gazetari – Absolutisht e kuptoj, por gjyqet që keni ndjekur janë brenda orarit zyrtar. Më kupton?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Ku ka qenë kjo?
Gazetari – Ju e mohoni këtë kategorikisht? Si e ushtroni profesionin? Si i mbroni klientët? Sepse gjykata deri në 4 është. Më kupton?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Po, pfff… ajooo… eeeeee, klientit nuk mund të… Lista që del kryesisht është pas orës…
Gazetari – Jo, meqë je këtu 8 me 4.
Juristja e Portit N. Kalcuni – 8 me 4.
Gazetari – Mua, si klient p.sh…
Juristja e Portit N. Kalcuni – Kryesisht ka nxjerrë listën kryetari i Dhomës së Avokatisë. Në momentin që ka komisariati një… ose penale një prokuror, atëhere të thërret. Kam vajtur edhe pasdite.
Gazetari – Po s’ka gjyqe pasdite! Prandaj po të them.
Juristja e Portit N. Kalcuni – Pasdite në dhomat e paraburgimit .
Gazetari – E kuptoj, por si e mbron klientin tënd?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Unë, ssss…
Gazetari – S’ke pasur raste të tilla? Se ne i kemi investiguar, domethënë edhe punët që ke bërë i kemi .
Juristja e Portit N. Kalcuni – Mund të ketë ndonjë rast 1, 2 , po jo se kam… Unë jam këtu, kështu që…
Gazetari – Mirë! Të falenderoj! Gjithë të mirat!
Moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën se Noreta Kalcuni, ashtu si nënkryetari i Bashkisë Kavajë, duhet të zgjedhë mes punës private dhe asaj shtetërore.