Spitali i Traumës pa frigorifer-morg, KLSH gjen shkelje dhe barna të skaduara

Spitali Universitar i Traumës nuk disponon frigorifer-morg për mbajtjen e trupave që ndërrojnë jetë.

Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili pas një auditi që ka nxjerrë në pah një sërë problematikash dhe shkeljesh të bëra për periudhën 2021-2022. Audituesit në raport kanë renditur një listë me pajisje që nuk funksionojnë, mes të cilave janë dhe dy frigoriferë, që përdoren për të mbajtur trupat e pacientëve që ndërrojnë jetë në këtë spital.

Në vitin 2021 pranë këtij spitali kanë ndërruar jetë 90 pacientë dhe sipas raportit Spitali i Traumës nuk ka krijuar ambiente të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre ligjore strukturat përgjegjëse të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Planifikimi i gabuar i medikamenteve dhe materialeve të mjekimit kanë shkaktuar një dëm me vlerë 9,2 milion lekë barna të skaduara të cilat janë konstatuar nga audituesit.

Nga ana tjetër KLSH ka konstatuar një sasi të madhe të medikamenteve pa vulën e kuqe me mbishkrimin “për përdorim spitalor ndalohet shitja”.

Audituesit kanë konstatuar se drejtuesit e këtij spitali kanë shkelur rregullat e tenderimeve. Rrjedhimisht KLSH i ka rekomanduar ministrisë së Shëndetësisë edhe shkarkimin nga detyra të drejtores së këtij spitali, Edlira Bode.

Të Fundit