Spiropali për Ditën e Europës: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është proces qytetërimi, jo vetëm negociata

Ish-kryetarja e Parlamentit, njëherësh deputetja e PS-së, Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh me ndjekësit për Ditën e Europës.

Ish-ministrja e Jashtme thekson në reagimin e saj se Shqipëria edhe pse është pjesë e Europës, kërkon të hyjë në te, dhe kjo sipas saj vjen për shkak të ngatërresave apo paradokseve historike.

Sipas Spiropait, Europa për shqiptarët nuk është një mal me letra apo një pirg me dokumenta, por një botë ku pushteti kufizohet me ligj dhe “ku dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe ku shteti nuk është pronë e askujt”.

“Sot është Dita e Europës. Asaj Europe në të cilën jemi, dhe, çuditërisht, duhet të hymë. Jo sepse për të tilla ngatërresa ose paradokse e kemi fajin vetë, por sepse i tillë ishte fati ynë historik. Si e tillë, për Shqipërinë dhe shqiptarët Europa nuk ka qënë kurrë thjesht dhe vetëm një destinacion politik, por shumë më tepër, kryesisht një mënyrë për të dalë nga vetmia historike me të gjitha pasojat e saj.

Europa për ne nuk është një mal me letra, një pirg me dokumenta.

Europa për ne është pjesë e një bote ku pushteti kufizohet nga ligji, ku dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe ku shteti nuk është pronë e askujt. Rruga europiane e Shqipërisë nuk është vetëm proces negociatash. Është proces qytetërimi.

Dhe po, kjo rrugë ka qenë e gjatë, shpesh e padrejtë, shpesh zhgënjyese. Por është ende rruga më e rëndësishme, dhe e vetme, që kemi zgjedhur.

Europa nuk është perfekte, Europa nuk është e rënë nga qielli. Europa është vendi i lodhjeve milenare për përsosje të pandërprerë, vendi ku, në kërkim të lirisë, shoqëritë përpiqen parreshtur të korrigjojnë veten.

Për ne, kjo është beteja me veten të cilën së shpejti do e fitojmë.

Gëzuar Ditën e Europës”, thekson Spiropali.

Të Fundit