Spanjë: Listë për të gjithë personat që refuzojnë të bëjnë vaksinën kundër COVID-19

Spanja do të regjistrojë të gjithë personat të cilët refuzojnë të vaksinohen kundër COVID-19 dhe do ta shpërndajë këtë listë me të gjithë shtetet e Bashkimit Europian, ka thënë ministri spanjoll i shëndetësisë, Salvador Illa.

Illa tha se kjo listë nuk do të jetë e disponueshme për publikun apo punëdhënësit dhe shtoi se mënyra e vetme për ta mundur virusin është “të vaksinohemi të gjithë, sa më shumë aq mirë”.

Spanja ka qenë një ndër shtetet më të prekura në Europë nga coronavirusit dhe në vend ka mbërritur vaksina e Pfizer/BioNTech, e cila u miratua nga BE javën e kaluar.

Në një intervistë për televizionin “La Sexta” të hënën, Illa theksoi se vaksinimi në Spanjë nuk do të jetë i detyrueshëm.

“Ajo që ne do të bëjmë është se do të mbajmë një listë, të cilën do ta ndajmë me Bashkimin Europian të atyre personave të cilëve iu është ofruar vaksina dhe kanë refuzuar ta bëjnë atë”, shpjegoi ai.

“Nuk është një dokument që do të jetë i disponueshëm për publikun dhe do të krijohet në bazë të politikave të privatësisë”, tha ai.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, numri i personave që kanë thënë se nuk do ta bënin vaksinën është ulur në 28% nga 47% që ishte ne nëntor.

Që nga fillimi i pandemisë Spanja ka regjistruar më shumë se 1.8 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 50,000 viktima.

 

Të Fundit