Spanja fillon shpërndarjen e vaksinave në janar, prioritet infermierët dhe të moshuarit

Në luftën kundër coronavirusit, Spanja do të jetë një nga vendet e para që do të fillojë shpërndarjen dhe përdorimin e vaksinës anti-COVID. Sipas planit të prezantuar nga qeveria spanjolle, vaksinimi do të fillojë gjatë muajit janar të vitit 2021.

Mënyra se si vaksinat do të shpërndahen bazohet në planin që ka parashtruar Bashkimi Europian. Për rrjedhojë, qeveria spanjolle ka komunikuar se grupet që do të kenë prioritet do të jenë të moshuarit, punonjësit e azileve, si dhe stafet mjekësore.

“Banorët dhe personeli shëndetësor i azileve të të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara do të jenë të parët që do të vaksinohen kundër COVID-19. Personeli mjekësor do të jetë grupi i radhës që do të vaksinohet. Këto grupe do të vaksinohen në fazën e parë me vaksinat e para. Qëllimi ynë është të ndjekim një rregull, ku personat më të prekur do të jenë të parët”, është shprehur Salvador Illa, ministër i Shëndetësisë në Spanjë.

Kontrata e nënshkruar me Bashkimin Europian i lejon Spanjës të marrë rreth 140 milionë doza, të cilat do të jenë të përdorshme nga të paktën 80 milionë persona. Sipas qeverisë spanjolle, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë do të vaksinohet në gjashtë muajt e pare të vitit 2021. Gjithashtu vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm, si dhe do të ofrohet falas.

Edhe vende të tjera, si Italia, Franca dhe Gjermania kanë komunikuar se do të ndjekin një plan të ngjashëm, ku grupe të caktuara do të kenë prioritet për t’u vaksinuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur se “në plan të parë do të jenë sigurisht infermierët, mjekët dhe personat më të rrezikuar”.

Megjithatë, akoma priten komunikime nga vende të tjera të Europës për strategjitë që do të ndiqen gjatë shpërndarjes së vaksinave anticovid.

Të Fundit