SPAK të bëjë publik emrat e gazetarëve që u shërbejnë grupeve kriminale

Po qarkullon jo pa zhurmë një informacion që besohet se ka rrjedhur nga SPAK, se disa gazetarë në Shqipëri janë paguar nga grupe kriminale për të lobuar pro tyre apo për të sulmuar kundështarët në media.

Njëri prej tyre është zbuluar në përgjimet e përbashkëta të antimafias italiane dhe SPAK, që cuan në pranga 5 efektivë të policisë dhe në arrest shtëpie një prokuror, nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti të madh të trafikut të drogës.

Ai dyshohet se është i lidhur me grupin e drejtuar nga Ilirjan Zaimi, i njohur si Daja apo Lani dhe se është paguar për të folur në emisione të ndryshme televizive kundër grupeve rivale që kultivonin kanabis.

Një tjetër gazetar, që drejton një emision që ka të bëjë me çështje të krimit dhe që shfaqet hera-herës në emisione që trajtojnë çështje të tilla, dyshohet se ka dalë si i lidhur me grupe kriminale apo individë të rrezikshëm me rekorde të rënda kriminale, në çështje të ndryshme gjatë viteve të fundit.

Një i tretë, po ashtu, raporton për të njëjtat çështje në median ku është punësuar.

SPAK nuk ka reaguar në lidhje me këtë informacion që besohet se ka rrjedhur nga dosjet hetimore.

Zoom.al nuk mundi ta verifikonte informacionin që, më shumë se kuriozitet, ka ngjallur shqetësim si në opinionin publik, ashtu edhe në komunitetin e gazetarëve, në mënyrë të veçantë.

Nisur nga interesi mbi çështjen dhe për të ndarë median dhe gazetarët e ndershëm nga të tillë elementë, Zoom.al i bën një thirrje publike SPAK-ut që të bëjë transparencë mbi çështjen, të publikojë emrat e gazetarë nëse ata janë përgjuar vërtet duke folur për përfitime nga grupet kriminale apo duke mbrojtur interesat e tyre, ose ta përgënjeshtrojë lajmin.

Të Fundit