5512 m2 truall në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka është vendosur nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Posaçme. Lajmi bëhet i ditur nga Klan News, që thotë se Gaçit i është vendosur sekuestro pasi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi. Sipërfaqja në fjalë, mësohet se është pjesë e tokës që Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.
Në fillim të këtij muaji, Gaçi u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje në bazë të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për këtë çështje, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri. Ky i fundit e akuzon Gaçin se e ka përfituar këtë pronë në mënyrë të parregullt.
Kjo çështje po ashtu ka qenë herë pas here shkak për akuza nga ana e opozitës, që vitin e shkuar pati kërkuar heqjen e mandatit të Xhaçkës.
Ndërkohë, kjo e fundit në një reagim në rrjetet sociale thotë se bashkëshorti i saj nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, është bërë për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994.
Postimi i Xhaçkës vjen pas një komenti që Sali Berisha pati gjatë konferencës me gazetarët për këtë çështje e ku u shpreh: “Si mund të krahasosh ti këtë rast. Ti krahason Artan Gaçen që ka marrë investitorë strategjik qindra mijëra metra katrorë tokë publike dhuratë nga ministrja strategjikë me Begej dhe Malltezin që mori tokën e vet pas 50 vitesh të sekuestruar nga regjimi komunist. A mund të ketë krahasim këtu? Nuk mund të ketë”.