Ashtu siç pritej, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për Fredi Belerin, i cili akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci. Ndërkohë, brenda 10 ditëve Beleri do përballet me Gjykatën e Posaçme, për rivlerësim të masës së sigurimit.
Kujtojmë që Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit për korrupsion aktiv në zgjedhje. Prokuroria thotë se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash. Për këtë thotë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar. Më 13 Maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Megjithatë më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se gjendej në qeli. Në një garë të fortë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë.
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet greke që janë shprehur se vendime të tilla do të kenë ndikim në marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë greke për Punët e Jashtme, Theocharis Lalakos, do të vijë në Shqipëri ditën e sotme për t’u takuar me kryebashkiakun e sapozgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Lajmi është publikuar nga televizioni shtetëror grek ERT. Sipas informacioneve, takimi vjen pas udhëzimeve të ministrit grek Nikos Dendias.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama është shprehur për gazetarët se do të flasë për këtë çështje pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi. Kreu i qeverisë tha se minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt, as në Shqipëri dhe as në Greqi. Sipas Ramës, askush nuk mund t’i kontestojë vendimet e drejtësisë në Shqipëri. Po ashtu ai theksoi se është i vendosur të bëjë maksimumin për të çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin me dy vendeve.
Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik para se të arrestohej, në javën e fundit të fushate. Shkak u bë një deklaratë e tij për një gazetë greke, ku përmendi një plan për helenizimin e Himarës. Këtë ai e mohoi më vonë duke thënë se ishte bërë një përkthim i gabuar.