SPAK godet korrupsionin në Petrelë, pezullohet kreu i Njësisë Administrative

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar sot masat e sigurisë për 5 persona. Në një njoftim për mediat SPAK bën me dije se është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për personat nën hetim Arlind Muxhiu dhe Fatjon Haxhiu të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe Dhimitri Papa, me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Ndërkohë në “arrest në shtpëi” do të qëndrojë Kristaq Kali me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”. Ndërkohë është pezulluar nga detyra dhe Sokol Kupi me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.

Sipas SPAK nga hetimet e zhvilluara rezulton se Muxhiu dhe Haxhiu në vitin 2020 në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë. Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së. Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit. Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit”, sqaron SPAK.

Të gjitha masat e sigurimit u ekzekutuan sot nga strukturat e Policisë së Shtetit./tvklan.al

Të Fundit