Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një prej grupeve kriminale më të mëdha të dyshuara për trafik ndërkombëtar të kokainës. Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, ndërsa dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Pas operacionit të SPAK, mediat belge kanë rikthyer në vëmendje profilin e Eldi Dizdarit, i njohur edhe me identitetin Denis Matoshi. Gazeta belge “Gazet van Antwerpen” (GVA) ka publikuar më herët detaje mbi aktivitetin e tij dhe lidhjet me rrjete të fuqishme kriminale në Belgjikë dhe Holandë.
Sipas artikullit, Dizdari ishte ndaluar nga policia belge gjatë një kontrolli rutinë në autostradën Antwerp-Eindhoven, ndërsa lëvizte me një automjet luksoz me shpejtësi të lartë. Oficerët nuk ishin në dijeni se kishin ndaluar një nga personat më të kërkuar nga autoritetet në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë.
Media belge e lidh atë me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe përmend dyshimet për përfshirje në ngjarjen e njohur si “Masakra e Bllokut” në Tiranë. Artikulli thekson se Dizdari, i identifikuar edhe si Denis Matoshi, është vendosur prej vitesh në Dubai, ku dyshohet se janë investuar miliona euro të ardhura nga aktivitetet kriminale.
Në fokus të raportimit është edhe ish-bashkëshortja e tij, Suada Sherifi, e cila sipas medias belge rezulton pronare e nëntë pasurive të paluajtshme në Dubai. Vlera totale e blerjes së këtyre pronave llogaritet në rreth 17.8 milionë euro.
Mediat belge e përfshijnë gjithashtu Dizdarin në dosjen e njohur të klanit asirian “Y.” në Antwerp, ku ai dyshohet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh false. Sipas raportimeve, ai ka përdorur pasaportë dhe kartë identiteti false të siguruara përmes një rrjeti të korruptuar zyrtarësh lokalë.
Në botën kriminale të Antwerp-it, Dizdari njihej me nofkat “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”. Emri i tij është përmendur edhe në lidhje me organizatën “Kompania Bello”, një rrjet i përbërë nga 14 banda shqiptare të përfshira në kontrabandën ndërkombëtare të drogës.
Sipas autoriteteve belge, ai dyshohet se ka organizuar dërgesa me mijëra kilogramë kokainë drejt porteve të Antwerp-it dhe Roterdamit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të krimit të organizuar në Belgjikë. Pas goditjes së rrjeteve me të cilat bashkëpunonte, Dizdari dyshohet se krijoi aleanca të reja për të vijuar aktivitetin e trafikut të narkotikëve.
Operacioni i SPAK konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të kokainës që përfshin shtetas shqiptarë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal.



