Sot samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, Rama: Shqipëria është gdhirë si Europa e Ballkanit

Samiti i Procesit të Berlinit mbahet sot në Tiranë ku do të mblidhen liderët e shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky samit është i një rëndësie të veçantë pasi për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të BE-së dhe mbahet në Shqipëri.

Punimet e samitit do të zhvillohen në godinën e rikonstruktuar të Piramidës.

Në një postim herët në mëngjes në rrjetet sociale, Rama shkruan se sot Shqipëria është Europa e Ballkanit.

“Me tryezën e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së, në Piramidën e Diktatorit në Tiranë, ku do të ulen armiqtë e tij të betuar, të cilët e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, që sot është gdhirë si Europa e Ballkanit, ju uroj një javë të mbarë”.

AXHENDA

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve.

Në orën 11:30 fjala hapëse.

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor.

Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë.

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.

Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp.

Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës.

MASAT E POLICISË DHE RRUGËT E BLLOKUARA

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Ukraina e lirë”.

Të Fundit