Kur një banor i Kalifornisë filloi të vinte në dyshim çmimin e faturës së tij të energjisë elektrike çdo muaj, ai kuptoi se një gabim i bërë për 18 vite po i kushtonte shumë. Ken Uilson, një klient i Pacific Gas and Electric (PG&E), i cili ka jetuar i vetëm në një kompleks apartamentesh në Vacaville që nga viti 2006, i tha stacionit të San Franciskos të ABC se ai filloi të vinte re rritjen e faturave të tij disa muaj më parë.
Në përpjekje për të ulur kostot, Uilson u përpoq të reduktonte përdorimin e energjisë dhe bleu një pajisje për të ndihmuar në monitorimin e sasisë së vateve që përdorin pajisjet e tij. “Edhe pasi i fika ndërprerësit, vazhdova të dilja jashtë për të kontrolluar njehsorin tim dhe pashë nëse ishte ende duke funksionuar dhe po funksiononte” tha Uilson për ABC7.
“Nuk mund ta besoja”, shtoi ai. “Edhe kur fikja çdo aparat, sahati vazhdonte të tregonte konsum. Ishte e pabesueshme”, deklaroi ai.
Uilson tha se ai kontaktoi PG&E për këtë çështje dhe ata dërguan një përfaqësues në banesën e tij për të kontrolluar njehsorin e tij, i cili konfirmoi se dyshimet e tij nuk ishin të pabaza.
Kompania e shërbimeve lëshoi një deklaratë për ABC duke thënë se Uilson kishte paguar faturën e energjisë elektrike për apartamentin pranë tij “që nga viti 2009 potencialisht”, tre vjet pasi ai ishte zhvendosur. “Hetimi ynë paraprak ka gjetur se numri i njehsorit për apartamentin e klientit po i faturohej një apartamenti tjetër që nga viti 2009,” tha një zëdhënës i PG&E.
Meqenëse ai ka pasur të njëjtën marrëveshje me PG&E që kur u transferua në kompleks në vitin 2006, Uilson i tha ABC7 dhe mediave të tjera se ai beson se gabimi i kushtueshëm ka vazhduar më gjatë. “Ne sinqerisht kërkojmë falje për mbikëqyrjen dhe ndjejmë keqardhje për çdo shqetësim të shkaktuar nga kohëzgjatja e kësaj çështjeje”, shtoi zëdhënësi.
Në një përditësim për ABC, zëdhënësi i PG&E tha se njehsori i Uilson ishte rregulluar në mënyrë që ai të paguante vetëm pjesën e tij të përdorimit të energjisë elektrike dhe se ai ishte kredituar mbi 600 dollarë në llogarinë e tij me kompaninë.
PG&E u bëri thirrje gjithashtu klientëve të tjerë që shqetësohen për përdorimin dhe faturimin e tyre që të verifikojnë se matësi i tyre është i saktë duke krahasuar numrin ID të njehsorit në panelin elektrik me atë në faturën e tyre mujore.