Skrapar/ Plagoset me armë zjarri por gënjen policinë, arrestohet 43-vjeçari dhe….

Një 43-vjeçar nga Skrapari është arrestuar nga policia për moskallëzim krimi.

Sipas uniformave blu, ndryshe nga çka deklaruar në dëshminë e tij në Spitalin e Beratit ku u paraqit për mjekim, plagosja e tij ka ndodhur në rrethana të tjera, teksa punonte në shtëpinë e 47-vjeçarit me iniciale A.A.

Njoftimi i policisë:

Deklaroi se ishte vetëdëmtuar me mjet të mprehtë, arrestohet në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, 43-vjeçari që u paraqit në spitalin e Beratit, ditën e djeshme.

Shpallet në kërkim 47-vjeçari që dyshohet se e plagosi aksidentalisht me armë zjarri.

Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. B., 43 vjeç, banues në Skrapar, sepse ditën e djeshme është paraqitur me dëmtime në trup, në Spitalin Rajonal Berat dhe gjatë deklaratës përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, ka pretenduar se ishte vetëdëmtuar aksidentalisht duke punuar në oborrin e shtetasit A. A.

Nga veprimet hetimore të punonjësve të Policisë, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe këqyrja e të dëmtuarit nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se ky shtetas ishte plagosur me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim, për veprat penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia” dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasin A. A., 47 vjeç, pasi dyshohet se në oborrin e banesës së tij, në fshatin Grevë, Skrapar, ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri shtetasin V. B. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit