Në fund të vitit të kaluar transmetuam një problem në Kavajë, pasi familja e Yllka Eminit, ka në pronësi një vilë 3 katëshe me dokumenta të rregullta e certifikatë pronësie. Por kunati i saj, Bejtullah Emini, po i cënon pronën. Fillimisht ai ishte 3 metra distancë prej Yllkës, por iu afrua në murin e saj, duke ndërtuar pa leje katin e parë dhe tani ka përfunduar të dytin.Kur u bë kati i parë, Yllka bëri ankesë, por ndërtimi nuk u prish, derisa u legalizua. Tani, që ndërtimi është në katin e dytë, vendimi i prishjes, ka dalë para dy vjetësh, por IMT e Bashkisë Kavajë, thotë, se nuk ka mjete të prishë katin e dytë.Gjatë bisedës me palën tjetër, Bejtullah Emini, kunati i denoncueses, pranon, se ka bërë një shtesë në mur dhe gjysma e shtëpisë ka murin e saj, ndërsa tjetra rri mbështetur tek vila e Yllkës. Sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Kavajë, Arti Çiçolli këmbënguli, se nuk ka mjete për të prishur katin e dytë të shtëpisë problematike.Pas interesimit tonë, IKMT-ja qendrore urdhëroi atë të Kavajës, që të marrë masa, duke hapur një procedurë të re prishjeje. IKMT-ja i tërheq vëmendjen IMT-së Kavajë, që kjo e fundit të veprojë e të nisë një inspektim nga fillimi, meqë kaloi afati 2 vjecar dhe gjatë kësaj kohe nuk veproi.
